Vuçiqi i shqetësuar për anëtarësimin e Kosovës në KiE, u dërgon letër liderëve evropianë - NACIONALE

Vuçiqi i shqetësuar për anëtarësimin e Kosovës në KiE, u dërgon letër liderëve evropianë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës po vazhdon ende, ndonëse një gjë e tillë është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit. Në këtë kontekst, Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, raportohet të ketë dërguar një letër në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Sinisha Mali, ministër i Financave në Serbi, ka thënë sot se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka dërguar një letër në adresë të të gjithë lidervë, përfshirë presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarti gjerman, Olaf Scholz. Në deklarimin e tij, Mali thotë se Vuçiq është ankuar për presionet ndaj Serbisë nga të gjitha anët, transmeton media serbe në Kosovë.

“Nuk e kam parë kurrë presidentin më të shqetësuar se këto ditë. Presionet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha, problemet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha. E kam fjalën për rajonin, Kosovën, sanksionet ruse, Rezoluta për Srebrenicën na kërcënon... Sot në mëngjes Presidenti u dërgoi letra të gjithë liderëve, përfshire Scholzit dhe Macronit dhe të tjerëve, kur bëhet fjalë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kushdo që e njeh Vuçiqin e di se dorëzimi nuk është kurrë një opsion dhe se ai gjithmonë fiton. Arsyeja pse ai është i shqetësuar është objektive, sepse presioni nuk ka qenë kurrë më i madh” – ka thënë Mali gjatë një interviste.

Kundërshtimi serb

Në fakt, letra nuk është i vetmi instrument që Vuçiqi ka përdorur në këtë kundërshtim deshpërues. Siç kishte raportuar Nacionale ditë më parë, Vuçiqi ka themeluar një komision për të kundërshtuar përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Gati dy javë më herët, Vuçiqi kishte njoftuar se ka shtruar një kërkesë për të formuar një ekip për të punuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Në datën 16 prill kemi një deklaratë të PSSE-së dhe atje do të kenë të njëjtën shumicë si më parë. Çfarë është e rëndësishme dhe çfarë ju kërkova të adresoni: ju kërkoj të formoni urgjentisht një ekip që do të merret me të dhe që vullneti për të luftuar, shanset tona janë të vogla, minimale, por kjo nuk do të thotë se duhet të ngremë duart, të qajmë e të qajmë”, kishte thënë presidenti serb, Vuçiq.

Madje, Vuçiqi kishte kërkuar që Serbia dhe ekipi i saj të luftojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Më në fund, më 11 maj do të ketë një vendim përfundimtar për Prishtinën për KiE, dhe mendoj se kemi një shans të vogël, prandaj ju kërkoj të luftoni më fort se kurrë dhe ju kërkoj që t'i përkushtoheni, është vendimtare për ne, të bëjmë gjithçka që mundemi, sepse do të ketë edhe shtete anëtare që e kanë njohur Kosovën, por që ne mund të sigurojmë se nuk janë pozitive për anëtarësimin e Kosovës në KE, dhe Hungaria nuk është e vetmja, e cila është një vend mik i madh i ynë.” – shtoi ai.

Sjellim ndër mend që çështja e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë në rend të ditës me 16 prill, ku pritet të jepet drita e gjelbër nga ana e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Lajme të ngjashme