"Vuçiqi e bleu imunitetin": Analistët e huaj, plus një kosovar, e kritikojnë marrëveshjen BE - Serbi për litiumin - NACIONALE

"Vuçiqi e bleu imunitetin": Analistët e huaj, plus një kosovar, e kritikojnë marrëveshjen BE - Serbi për litiumin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje Bashkimi Evropian dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje ekonomike, që fokusohej në lidhje me shfrytëzimin e litiumit, një përbërës tepër i rëndësishëm për ekonominë e gjëlbër. Në prezencë të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, Serbia e BE-ja u morën vesh për këtë “lëndë të parë të qëndrueshme”. Megjithatë, kjo marrëveshje është kritikuar nga disa profesorë ndërkombëtarë e analistë kosovarë.

Florian Bieber, profesor dhe politolog në Universitetin e Grazit, ka komentuar marrëveshjen në mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë në lidhje me litiumin. Bieber e ka kritikuar goxha ashpër këtë marrëveshje, duke hedhur dyshime se zbatimi i saj do të bëhet sipas kushteve të Serbisë, në të cilin vend tha se mungojnë shoqëria civile e kritikët.

Madje, në analizën e Bieberit, kjo marrëveshje u shërben më shumë interesave të BE-së se sa vlerave të saj.

“Kështu, nuk ka asnjë garanci se projekti i minierave do të jetë në përputhje me standardet serbe (për të mos përmendur BE-në). Protestat masive ndaluan përpjekjen e parë më 2021. Tani BE dhe Gjermania po mbështesin hapur projektin pas mashtrimit zgjedhor dhe përkeqësimit të shtetit ligjor. Mesazhi do të dëgjohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Një marrëveshje që i shërben BE-së është më e rëndësishme se vlerat. Me një qasje të tillë, zgjerimi i BE-së ka vdekur” – ka shkruar ai, ndër të tjera.

Profesori tjetër i huaj, Toby Vogel, u pajtua me analizën e profesorit Bieber. Sipas tij, Vuçiqi ka blerë imunitetin pas kësaj marrëveshjeje.

“Tashmë po shihet. Floriani ka 100 për qind të drejtë. Vuçiq i ka blerë vetes imunitet të plotë me këtë marrëveshje - një imunitet të cilin e kishte edhe më parë, por vetëm për shkak të rrethanave politike. Tani është volusur” – ka shkruar ai.

Në këtë linjë të interpretimeve, që disi janë pesimiste, ishte edhe Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovës. Në një shkrim në profilin e tij në Facebook, Bosch vlerësoi se sot është një ditë e keqe për “mjedisin, demokracinë dhe Kosovën”.

“Ditë e keqe për mjedisin, demokracinë dhe për Kosovën. BE-ja kësaj radhe edhe përmes vizitës së kancelarit gjerman, mbështet qeverinë serbe që të lërë investitorët e huaj të shkatërrojnë, kundër vullnetit të njerëzve, për të filluar nxjerrjen e litiumit. Litiumi është i domosdoshëm për bateritë në E-makinat, arsye që veçanërisht Gjermania, me industrinë e madhe të makinave, është e interesuar. Vuçiq do ta përdorë këtë sigurisht dhe BE-ja përdor regjimin e tij autokratik për të injoruar vullnetin e popullit. Unë mendoj se nuk flitet për politikën e tij për destabilizimin e rajonit” – ka shkruar Bosch.

Në lidhje me këtë marrëveshje shkroi edhe analisti kosovar, Agon Maliqi. Sipas Maliqit, Ballkani Perëndimor po shndërrohet në një zonë gri të sigurisë.

“Nxjerrja e litiumit, kampet e migrantëve, "burgjet e jashtme", burimi i fuqisë punëtore të kualifikuar - të gjitha pa përfitimet e transferimeve të anëtarësimit në BE ose standardet e demokracisë. Ballkani Perëndimor po shndërrohet në një vendgrumbullim të të drejtave të njeriut dhe mjedisit mbi të qenit një zonë gri e sigurisë” – ka shkruar ai.

Çfarë thotë marrëveshja BE-Serbi?

Qeveria e Serbisë dhe Bashkimi Evropian dje nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, i cili ka të bëj me lëndët para të qëndrueshme. Dokumenti, që është nënshkruar pas të takimit Vuçiq – Scholz, po vlerësohet si partneritet strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, vlerën e baterive dhe automjeteve elektrike.

“Memorandumi i Mirëkuptimit (në tekstin e mëtejmë “MoU”) synon të zhvillojë një partneritet strategjik me përfitim reciprok mbi lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e vlerës së baterive dhe automjetet elektrike (në tekstin e mëtejmë “EV”), në përputhje me Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor 2 , duke përmirësuar njëkohësisht integrimin e Serbisë në tregun e përbashkët të BE-së dhe duke forcuar më tej konvergjencën e saj ekonomike, sociale dhe ekologjike me BE-në e bazuar fort në respektimin e vlerave dhe parimeve evropiane. Në bazë të letrës së synimit të nënshkruar nga përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe BE-së (në tekstin e mëtejmë: Palët) më 22 shtator 2023 në Nju Jork, palët pranuan ambicien e tyre të përbashkët për të forcuar dhe zgjeruar bashkëpunimin e tyre. në lëndët e para kritike dhe zinxhirët e vlerës së automjeteve elektrike, duke përfshirë materialet, bateritë, prodhimin dhe riciklimin”, thuhet në memorandum, i cili është publikuar nga gazeta Nova.rs.

“Bazuar në nevojën e përbashkët për të trajtuar ndryshimet klimatike, për të ndjekur një tranzicion të gjelbër dhe për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me energji, materiale dhe teknologji të qëndrueshme që janë instrumentale në ruajtjen e konkurrencës së ekonomive të tyre, duke minimizuar ndikimin mjedisor dhe duke rritur elasticitetin e ekosistemeve strategjike, ” palët” dëshirojnë të krijojnë një partneritet strategjik, (në tekstin e mëtejmë “Partneriteti”) mbi lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e vlerës së baterive dhe automjetet elektrike me qëllim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në këta sektorë në përputhje me nevojat e palëve dhe standardet e tregut të përbashkët të BE-së”, thuhet në memorandum.

Lajme të ngjashme