Vuçiq takon Borrell e Lajçak: Pres një ftesë për në Bruksel ditëve në vijim
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka takuar sot kryediplomatin evropian, Josep Borrell dhe emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë qëndrimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Dje ndërkohë, ata i takoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai sipas “Kosovo-Online”, para mediave citohet të ketë thënë se “BE-ja duket që nuk dëshiron ose nuk ka mekanizma ndaj Prishtinës”.
“Ne thamë që jemi gati të shkojmë në çdo bisedë, por duam që rezultatet mos të priten vetëm nga Beogradi, e kurrë asgjë nga Prishtina.” – ka thënë tutje ai.
Vuçiq tutje, citohet të ketë thënë se pret një ftesë për në Bruksel gjatë ditëve në vijim.
“...dhe shpresoj për një zgjidhje.” – raportohet se ka shtuar ai.
Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, në takimin e Kurtit, Borrell e Lajçak është folur për dialogun, zbatimin e marrëveshjeve dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.” – shkruan aty.
Në fund, thuhet se Kurti ka kërkuar heqjen e masave “të padrejta” të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.