Vuçiq: Serbia ishte vendi i fundit që kishte nevojë për ato incidente në Kosovë për shkak të dinamikës së negociatave
Në një intervistë për "CNN", Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se numri i personave në kufi me Kosovën ka zbritur nga 14 mijë në 4400 brenda një viti. Ai ka thënë se numri i ushtarëve në kufi është ulur në 60 për qind.
Në lidhje me kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë për deeskalim, Vuçiq shprehu vullnetin për të parë më shumë prani të forcave të KFOR-it në Kosovë.
Vuçiq gjithashtu pretendoi se numri i personave në linjën administrative është 60 për qind më pak se sa ishte më herët, dhe se Serbia, sipa tij, ishte "vendi i fundit, si të doni quani, që kishte nevojë për ato incidente në Kosovë për shkak të dinamikës së gjithë procesit të negociatave".
Ai gjithashtu theksoi se nuk do të mbrojë vrasjen e policit Afrim Bunjaku.
“Para një viti në linjën administrative me Kosovën kishim 14 mijë trupa. Disa ditë më parë numri ishte 8400. Sot është 4400, që është një numër i rregullt. Ne gjithmonë dëgjojmë atë që kërkojnë partnerët tanë nga ne. Nuk ka arsye për t’u shqetësuar për momentin. Ne duam të shohim prani më të madhe të KFOR-it në Kosovë. Unë nuk do ta mbroj vrasjen e policit shqiptar. Ju e dini, se ushtarët tanë monitorojnë situatën në terren dhe lëvizin forcat tona në mënyrën që ata mendojnë se mund të jetë më e dobishme dhe ata kanë operacionet e tyre. Por, unë nuk kam nënshkruar asgjë për gatishmërinë e ushtarëve tanë dhe ata duhet ta dinë këtë se numri i njerëzve është 60 për qind më pak se që kishim më herët në kufij, linjë administrative. Serbia ishte vendi i fundit, entiteti i fundit, si të doni quani, që kishte nevojë për ato incidente në Kosovë për shkak të dinamikës së gjithë procesit të negociatave”, tha Vuçiq.