Vuçiq në takim me ambasadorët e ShBA-së e Britanisë: Formimi i Asociacionit është urgjencë e madhe
Mediat serbe raportojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin amerikan, Christopher Hill dhe ambasadoren britanike, Shan McLeoud, ku është folur rreth bisedimeve të fundit në Bruksel.
Kosovo-Online raporoton se Vuçiq bisedoi me ambasadoren britanike për “urgjencën e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe".
“Ne diskutuam edhe për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, pasi që ka vend për rritjen e investimeve britanike në Britani…” – citohet të ketë thënë Vuçiq.
Ndërkaq, në takimin e tij të mëparshëm me ambasadorin Hill, po ashtu është folur rreth dialogut mes Prishtinës e Beogradit.
“Ne u pajtuam se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe është një prioritet, si dhe më shumë punë, përkushtim dhe diskutime janë të nevojshme për të zgjidhur problemet e qytetarëve të Kosovës.” – ka thënë ai.
Ndërkaq, dje në një intervistë, ambasadori Hill tha se çështja me më së shumti urgjencë për t’u zgjidhur, është ajo e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe për këtë, sipas tij ekzistojnë disa arsye.
“Mendoj që çështja më urgjente për t’u zgjidhur është ajo e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe dhe ka disa arsye për këtë, një prej tyre është se çështja ka qenë aty për dhjetë vite, dhe së dyti, mendoj që nëse fillojmë me këtë, njerëzit, serbët në Kosovë, do të rikthehen në institucione. Ajo çfarë po mundohemi të bëjmë është ta qetësojmë situatën, sepse është e nevojshme.” – ka thënë ai.
