Vuçiq: Kurtit s'i beson askush, Amerika s'është më e ashpër me Serbinë - NACIONALE

Vuçiq: Kurtit s'i beson askush, Amerika s'është më e ashpër me Serbinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka folur edhe për kryeministrin tonë Albin Kurtin dhe garancinë e përfolur se nuk do të arrestonte serbët.

ShBA dhe BE do të dilnin me një komunikatë të përbashkët pak orë pasi ishte liruar në arrest shtëpiak ish-zyrtari policor i akuzuar për terrorizëm Dejan Pantiq. Aty thuhej që kishin marrë edhe garanci nga lidershipi kosovar se nuk kishte lista të arrestimeve derisa barrikadat quheshin protestë paqësore.

Vuçiq ka folur në lidhje me këtë çështje duke thënë që “askush nuk i ka kërkuar garanci Albin Kurtit se nuk do të arrestojë serbët, sepse askush nuk i beson”.

Edhe Kurti kishte pohuar që askush nuk i kishte kërkuar garanci, dhe kjo u konfirmua edhe nga Vuçiq në një deklaratë në TV Pink por edhe duke e sulmuar kryeministrin tonë.

“Ta shohim nëse NATO-ja me BE-në do t’i respektojnë ato garanci. Kurti nuk është pyetur sepse askush nuk i beson. Fjala e tij është e pavlerë dhe nuk do të thotë asgjë për askënd në Evropë, jo veç për mua. Fjala e tij nuk do të thotë asgjë për askënd në Prishtinë,” – ka pretenduar presidenti i Serbisë.

Më tej, ai shtoi se me amerikanët ishte e mundur të flitej sepse ata (sic) “e kuptonin pozicionin e Serbisë dhe qëndrimin e serbëve në Kosovë”.

Ai u shpreh më tej se Amerika është “shumë e sinqertë në dëshirën e saj për pavarësinë e Kosovës.

Vuçiq ka thënë se ka pasur biseda të mira me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hillin, para vitit të ri, por të cilat biseda nuk i ka bërë të ditura.

“Nuk po them se do të ndryshojë qëndrim... por dëgjon atë që themi ne. E njëjta gjë vlen edhe për Derek Cholletin dhe Gabriel Escobarin që duan të na dëgjojnë,” – u shpreh Vuçiq.

Vuçiq shtoi se amerikanët “nuk ishin më të ashpër me Serbinë”.

Kujtojmë se sot Vuçiq u shpreh se kishte marrë përgjigje negative për kërkesën e Serbisë që të kthente ushtrinë në Kosovë.

Lajme të ngjashme