Vuçiq: Fuqitë Perëndimore duan që shpejt ta zgjidhin nyjën e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pritur sot në takim Patriarkun Porfirio, ku më pas është mbajtur edhe një konferencë për shtyp. Vuçiq ka thënë se Serbia është në një situatë shumë më të vështirë sesa duket, se mbi të janë grumbulluar re të mëdha që po sjellin breshër, dhe se pas verës pritet periudha më e vështirë që nga viti 1944 e deri më sot. Ai ka kërkuar nga patriarku ndihmë nga Kisha Ortodokse Serbe në mënyrë që qytetarët të kuptojnë se në çfarë pozicioni ndodhet vendi.
“Serbia është në një situatë shumë më të vështirë se sa duket sot. Ju nuk do të vini re asnjë problem jashtë dhe nuk ka për momentin. A ka re të mëdha që bartin breshër mbi vendin tonë - po. Nuk ia fsheh këtë popullit”, ka thënë Vuçiq në fjalimin e tij nga Presidenca pas takimit me patriarkun dhe ipeshkvijtë, shkruan N1.
Ai ka shtuar se disa liderë botërorë parashikojnë një situatë më të vështirë sesa ishte para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe theksoi se vera do të kalojë shpejt dhe "atëherë do ta kemi kohën më të vështirë nga viti 1944 e deri më sot".
Vuçiq tha se Serbia është në një situatë specifike për shkak të Kosovës dhe shtoi se do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ruhen interesat e Serbisë sepse, siç tha ai, presionet do të jenë gjithnjë e më të vështira.
“Që nga dita kur Vladimir Putin tha se në çfarë e bazoi pushtimin e tij në Ukrainë, formalisht dhe politikisht, të gjitha fuqitë perëndimore kanë punuar për të zgjidhur shpejt nyjën e Kosovës me argumentin e Presidentit të Rusisë. Këtë e kam dëgjuar ngado që kam qenë në Evropë dhe në botë”, ka thënë Vuçiq.
Ai përkujtoi se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, prandaj është nën presion të madh.
“Këto janë problemet tona të para të mëdha, ato probleme nuk janë të vogla dhe do të jenë gjithnjë e më të mëdha”, theksoi Vuçiq.
Duke iu drejtuar patriarkut, ai tha se mendimet e tij duhet të dëgjohen dhe shtoi se Kisha Ortodokse Serbe do të jetë e informuar për të gjitha vendimet që do të marrë shteti, duke theksuar se nuk do të jetë e lehtë.
“Unë nuk e kam parë kështu, as nuk kam ëndërruar se do të përjetoj dhe shoh këtë. Kam qenë dëshmitar i presioneve të mëdha rreth marrëveshjes së Brukselit. Jemi duke u përballur me histeri të paprecedentë, askush nuk dëshiron të dëgjojë askënd e aq më pak të dëgjojë me vëmendje. Diplomacia nuk ekziston më në asgjë, vetëm kush do ta përcjellë mesazhin në mënyrë më brutale. Në këto kushte, është detyra jonë të përpiqemi të shpëtojmë vendin dhe popullin tonë. Pa kishën tonë, njerëzit tanë jashtë vendit vështirë se do të mund të mbijetonin. Të na ndihmoni të gjithëve të kuptojmë pozicionin e Serbisë, të jemi të gjithë bashkë, të përpiqemi të jemi të bashkuar në këto kohë”, ka përfunduar Vuçiq.