Vuçeviq: Serbia i ka të përcaktuara vijat e kuqe, situata e sigurisë në veri është me rrezik të lartë
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se situata në veri të Kosovës është shumë e rrezkishme, duke thënë se fajtore për gjendjen në veri janë autoritetet e Kosovës.
Ai ka thënë se vendimet e Kosovës janë “të njëanshme, të paligjshme, jolegjitime”, teksa ka përmendur edhe vijat e kuqe.
“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për - Zoti na ruajt - skenarë ku dikush vret serbë.” – ka thënë Vuçeviq për RTS.
Vuçeviq ka thënë se janë të pakënaqur me veprimet e KFOR-it.
“Kemi komunikim të vazhdueshëm, ku shkëmbejmë informacione, por vëmë në dukje edhe mosmarrëveshjet për disa çështje, sepse nuk jemi të kënaqur me veprimet e KFOR-it." - ka thënë Vuçeviq.
Më tej, ai thotë se zgjidhje e problemit janë largimi i Policisë së Kosovës dhe largimi i kryetarëve të rinj shqiptarë.
