“Vrasje në sytë e shtetit”: Ende nuk dihen motivet e vrasjes së 21-vjeçares në Ferizaj - NACIONALE

“Vrasje në sytë e shtetit”: Ende nuk dihen motivet e vrasjes së 21-vjeçares në Ferizaj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gratë më nuk janë të sigurta as në institucionet e shtetit, të cilat kanë për detyrë të mbrojnë jetën e tyre.

Vrasja e djeshme e 21-vjecares në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, tregon se gratë më nuk janë të sigurta askund.

Vrasja e Erona Coklit dhe plagosja e vëllait të saj 15 vjeçar nga ish-bashkëshorti i viktimës ka tronditur Kosovën.

Pavarësisht arrestimit të autorit të krimit, ende nuk dihet motivet e kësaj vrasje.

Policia e Kosovës ka dhënë disa detaje, por nuk ka treguar motivet e vrasjes.

Në raportin 24-orësh, policia ka thënë se vrasja ka ndodhur për motive te panjohura.

Rr. Vëllezërit Gërvalla, Ferizaj 12.04.2024-14:40. Është arrestuar i dyshuari mashkulli kosovar, pasi që i njëjti për motive ende të panjohura ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave (një mashkulli dhe një femër) dhe si pasojë e të shtënave viktima-femër ka mbetur pa shenja jete, ndërsa viktima-mashkull ka pësuar lëndime trupore, pas tretmanit mjekësor lirohet në shtëpi. Trupi pa jetë i viktimës dërgohet ne mjekësinë ligjore. Me urdhër te prokurorit i dyshuari dërgohet ne mbajtje”, është thënë në raport.

As prokuroria nuk ka dhënë shumë detaje për motivet e vrasjes. Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë dje se dyshohet që motivi të ketë qenë një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve.

Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi [ish-bashkëshorti] është arrestuar.”, ka thënë Jashari për Express.

Ndërsa, U. D e Drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, Adelina Rexhepi – Braha ka dhënë disa detaje për rastin.

Bashkëshorti e ka vra bashkëshorten e tij. Kontaktin e kanë pas me marrëveshje, nëna e ka fëmijën edhe e ka pru fëmijën në ora 13:00 në qendër që me realizu kontaktin me babën e tij. Djalin e ka marrë babai e ka dërgu në familje të vet, në shtëpi dhe pastaj e ka rikthyer në qendër.”, ka thënë ajo për “Betimin për Drejtës, duke dhënë detaje tjera.

Ka bisedu me menaxherën e rastit të tyre, i ka tregu që është duke pas probleme me ish – bashkëshorten, po i kthehet ajo prap, e diskutime të qiftit që ndodhin zakonisht. Edhe ka shku prap në shtëpi sepse në ora 15:00 ka pas me rikthy djalin në Qendër për Punë Sociale që me e mbajtë nëna, me marrë ajo. Kur ka dalë ai poshtë, e ka taku ish-bashkëshorten e tij, realisht partneren, sepse nuk kanë kurorë dhe të dy bashkë, janë ardhë në Qendrën për Punë Sociale dhe aty kanë fillu me bërtitë, me e fy bashkëshortja, bashkëshortin dhe ai e ka nxjerrë alltinë dhe e ka gjujtë. I plagosuri është vëllai i gruas.”, është shprehur ajo.

Liderët institucionalë dënojnë vrasjen

Pas vrasjes tronditëse, kanë reaguar liderët institucionalë të Kosovës.

Ata kanë dënuar vrasjen, duke kërkuar dënim maksimal për autorin.

Për këtë rast, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar edhe sistemin e dretësisë.

Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë.”, është shprehur Osmani.

Vrasjen e ka dënuar ashpër edhe kryeministri Albin Kurti.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo është vrasje mizore.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia.”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ky krim duhet të marrë dënim maksimal.

Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve.”, është shprehur ajo.

Lajme të ngjashme