Vrasja e biznesmenit Rexhepi, tensione pas kërkesës për shtyrje të seancës për vëllezërit Vllasaliu - NACIONALE

Vrasja e biznesmenit Rexhepi, tensione pas kërkesës për shtyrje të seancës për vëllezërit Vllasaliu

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndërsa sot është mbajtur seanca e gjykimit të dy vëllezërve, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të cilët janë të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, është bërë e ditur se për shkak të kërkesës për shtyrje të seancës nga ana e palës së dëmtuar, ka pasur tensione në sallë.

Duke qenë se sot ishin bërë 23 muaj që nga zhdukja dhe vrasja e Bedri Rexhepi, pala e dëmtuar kishte kërkuar shtyrjen e seancës për shkak se nuk ndiheshin mirë emocionalisht, e kjo gjë nuk ishte pranuar nga i akuzuari Nexhat Vllasaliu, i cili kishte kërkuar vazhdimin e gjykimit.

“Pajtohna, masi po ndërprehet, me dëshirën tem seanca u kanë me vazhdu, me u kry kjo punë se unë jam i pafajshëm,”- ka thënë Nexhat Vllasaliu, raporton Kallxo.com, ndërsa i njëjti ka treguar se është ofenduar nga pala e dëmtuar.

“E nderuara zonja Gjyqtare, nuk ka nevojë me m’sha se s’i kam kurrgjë, kurrfarë haku nuk ua kam,”- citohet të ketë thënë Vllasaliu, ku si përgjigje ka marrë reagim të ashpër nga pala tjetër.

“Borxh je, shpirtin e ki, o qen… o qen, na ke djegë tanë jetën, jetën na ke djegë…”- thuhet të kenë qenë reagimet nga pala e dëmtuar.

Bëhet e ditur se kërkesë për shtyrje ka pasur edhe nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar Besnik Berisha, i cili kishte kërkuar nga Gjykata që të marrë në konsideratë përvjetorin e vrasjes dhe të shtyjë gjykimin për ndonjë datë tjetër.

Duke qenë se aktakuza ishte konsideruar e lexuar në fillim të gjykimit, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruan lidhur me fajësinë për veprat që akuzohen.

“Unë edhe herën e parë jam deklaruar. Unë aktakuzën e pranoj pjesërisht, për disa pika jam i pafajshëm… Unë edhe një herë, po them me përfundimin e dëshmitarëve atëherë flas çka më takon mua, për sot nuk e pranoj…”- citohet të ketë thënë Jeton Vllasaliu.

Ndërkohë që bëhet e ditur se fajësinë nuk e pranuar Nexhat Vllasaliu.

“Nuk e pranoj, se jam i pafajshëm, në asnjë pikë nuk e pranoj”- ka thënë ai.

Në seancën e sotme ishte paraparë që të pala e dëmtuar të dëgjohej në cilësinë e dëshmitarit, megjithatë Gjykata kishte marrë vendim për të shtyrë seancën për datën 26 prill të këtij viti.

Kujtojmë se Nexhat dhe Jeton Vllasaliu akuzohen se kanë kryer veprën penale - vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.

Lajme të ngjashme