"Putini, Asociacioni, ShBA-ja": Gazeta gjermane thotë se në Ohër zhvillohet finalja mes Kurtit e Vuçiqit
Çështja e marrëveshjes evropiane, e cila u bë publike më 27 shkurt, dita kur ndodhi takimi i fundit mes Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, ka ngjallur reagime të shumta. Së fundmi, gazeta e njohur gjermane “Duetche Ëelle”, ka shkruar një analizë, ku ka komentuar krejt ngjarjet e fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Shkrimi i titulluar “BE-ja dhe ShBA-ja dëshirojnë të zgjidhin përfundimisht konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, i shkruar nga gazetari Thomas Bry, thekson se në shkurt, sipas BE-së, Beogradi dhe Prishtina kanë “pranuar një marrëveshje kompromisi që Brukseli dhe Uashingtoni kanë punuar me muaj”.
Shkrimi që në hyrje thekson se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjithnjë ka përdorur mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë si model për të sulmuar Ukrianën. Pasi përshkruan qëndrimin e Putinit, analiza e DË-së thekson se përpjekja e Perëndimit sollën propozimin e kompromisit, të njohur si plani franko-gjerman, duke treguar edhe pikat më të rëndësishme të këtij plani.
“Shtetet e Bashkuara gjithashtu e mbështesin planin. Diplomatët kryesorë nga Brukseli dhe Uashingtoni kanë bërë udhëtime në kryeqytetet Beograd dhe Prishtinë prej javësh për të inkurajuar Serbinë dhe Kosovën që të pranojnë këto propozime. Dhe nëse duhen besuar mediat e këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, të dërguarit perëndimorë kanë kërcënuar me izolim politik dhe ekonomik nëse propozimi i tyre i fundit refuzohet sërish, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën.” – shkruhet aty.
Në shkrimin e gazetës gjermane, përmendet edhe “myzhdja” e Joseph Borrellit, shefit të diplomacisë së BE-së, për pranimin e planit evropian nga palët.
“Por, pas kthimit nga Brukseli në Beograd dhe Prishtinë, asgjë nuk mund të dëgjohej për premtimet e supozuara në selinë e BE-së. Serbia nuk do ta lejojë kurrë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, garantoi presidenti Vuçiq. Kryeministri i Kosovës, Kurti, në Kuvendin e Prishtinës u betua se nuk mund të bëhet fjalë për krijimin e një Unioni të Komunave Serbe me autonomi dhe vetëqeverisje, si dhe mbrojtje të veçantë për thesaret kulturore serbe.” – shkruhet aty.
Gazeta gjermane shkruan edhe për pozicionet përjashtuese të Kosoves dhe Serbisë, duke theksuar se qëndrimet e Kurtit e Vuçiqit duhet kuptuar.
“Sjellja e Kurtit dhe Vuçiqit nuk është as e papritur dhe as befasuese, sepse kur është fjala për çështjen e Kosovës, Prishtina dhe Beogradi kanë pikëpamje që nuk mund të pajtohen në asnjë mënyrë. Ashtu si palestinezët dhe izraelitët në Lindjen e Mesme, të dy popujt pretendojnë të njëjtin territor. “Kosova është zemra e Serbisë” është argumenti i Beogradit, duke treguar ndërtesat historike dhe betejat mesjetare. Shqiptarët e shohin veten si popull autokton në Kosovë – dhe ata prej kohësh janë shumica absolute e popullsisë atje.” – shkruan autori i shkrimit.
Në shkrim përmendet edhe mungesa e kritikave nga Perëndimir për Vuçiqin dhe për finalen në Ohër, ku me 18 mars pritet të nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas gazetës gjermane, Kurti duhet të mundësojë krjimin e Asociacionit.
“Kurti do të duhej të mundësonte krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe - edhe pse ai është kundër çdo forme institucionale dhe territoriale të atij komuniteti dhe dëshiron ta kufizojë mbrojtjen e pakicave vetëm në mbrojtjen e individëve. E sa i përket mbrojtjes së veçantë të manastireve dhe kishave serbe, opozita kosovare tashmë me ashpërsi po thotë se në të ardhmen do të duhet të tregohet pasaporta për të vizituar këto monumente kulturore.” – shkruhet tutje, duke thënë se nuk dihet se çka do të ndryshojë në terren marrëveshja.


