Votoi pro projekt kodit civil, linçohet deputeti Gola nga komentuesit në rrjetet sociale - NACIONALE

Votoi pro projekt kodit civil, linçohet deputeti Gola nga komentuesit në rrjetet sociale

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Që nga themelimi, Lëvizja Vetëvendosje është njohur me gjuhën e saj të ashpër, e cila jo rrallë ka kapërcyer kufijtë e korrektësisë politike. Në raste, ajo madje është degraduar edhe në sulme ad hominem duke targetuar me gjuhë të papranueshme kundërshtarët politikë.

“Paçavër”, “argat i Serbisë”, “kriminel”, “me hajna nuk ka shtet” janë vetëm disa nga fjalët e parullat me të cilat është shërbyer subjekti tani më i madh politik në Kosovë që nga themelimi në vitin 2005.

Ditëve të fundit, si duket kjo gjuhë është kthyer tashmë kundër deputetëve të Vetëvendosjes, të cilët po kritikohen ashpër nga përkrahësit e tyre për votimin pro Projektkodin civil që hapte mundësinë e bashkësisë civile të seksit të njëjtë.

Simbolikisht, “përbindëshi i Frankenshtajnit” tashmë ka kthyer kthetrat kundër dikur të ‘zotit’ të tij.

Kjo gjë u pa më së miri në një postim të Ardian Golës, deputetit nga radhët e VV-së, i cili votoi në favor të miratimit të Projektkodit Civil, i cili megjithatë nuk mori votat e mjaftueshme për t’u aprovuar në shqyrtim të parë.

Në një postim në Facebook, Gola shkroi se ai para një të korruptuari që i falet Zotit çdo ditë dhe një ateisti të ndershëm, zgjedh këtë të dytin.

Tutje shkroi se “ndërmjet një heteroseksuali kriminel, prej të cilit nuk ndihem i sigurtë dhe një homoseksuali të udhëhequr nga mirësia, zgjedhi të dytin.”

E menjëherë pas këtij postimi, vërshuan komentet kritikuese në postimin e Golës.

Nga “haram” të qoftë vota ime e deri tek “mos u mundo me u arsyetu me statuse e me fjalë të kota” ishin disa nga reagimet e komentuesve në postimin e deputetit të VV-së.

Por, si duket komentuesve nuk u mjaftoi vetëm mundësia për të shprehur mendimin e tyre. Raportimet e shumta të statusit për ‘gjuhë të urrejtjes’ bënë që i njëjti të fshihet nga Facebook. Se statusi iu largua e tha edhe deputeti Gola në një status tjetër në profilin e tij.

“Kur mbroja të drejtën e shamisë së mësueses Fatmire nga Drenasi, që linçohej nga nxënësit, prindërit dhe mediat, postimin tim e shpërndanin nga Tirana e deri te Tetova. Tash, kur me të njëjtin parim mbroj një të drejtë tjetër, që nuk përkon me ideologjinë e tyre, postimin tim ma raportojnë tek Facebook për gjuhë të urrejtjes dhe për pasoje fshihet automatikisht. Keto janë paradokset e drejtave të njeriut”, shkroi Gola.

Komentet e shumta, shumica nga to kundërshtuese, nuk munguan as në statusin e dytë të deputetit nga Gjakova.

Sulme të ndryshme gjatë ditëve të fundit pati edhe ndaj deputetëve të tjerë të VV-së të cilët votuan në favor të Projekt-kodit.

Në anën tjetër, anëtarja e Vetëvendosjes, Donika Gashi, ka deklaruar se po shqyrtonte mundësinë të votonte edhe Mërgim Lushtakun e PDK-së për shkak të qëndrimeve të ashpra tij kundër Projekt-kodit Civil.

Sidoqoftë, shumë kritikë të pushtetit dyshojnë se kryeministri Kurti nuk ka pasur për qëllim që ky Projektkod të kalonte në Kuvend duke vënë theksin te mungesa e demokracisë së brendshme në partinë e tij.

Lajme të ngjashme