Votohet “pro” që Mitrovica e Veriut t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, ka votuar “pro”, bashkimit të kësaj Komune, në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Aida Doli, këshilltare komunale përmes një shkrimi në Facebook, e ka konfirmuar se u votua “pro” në Kuvend, duke e cilësuar vendim thelbësor për adresimin e sfidave.
“Sot, në Kuvendin Komunal, në Veriun e Mitrovicës, u votua pro bashkimit të Komunës Veriore të Mitrovicës në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kjo votë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i komunave janë thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar dhe më të qëndrueshme për të gjithë.”
Kujtojmë se sipas Marrëveshjes me Serbinë, Kosova obligohet të themeloj Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, përfshirë këtu Mitrovicën e Veriut.