Vonesa e aktgjykimit nga Kushtetuesja, dyshime se po tentohet mbajtja e dy palë zgjedhjeve për një ditë? - NACIONALE

Vonesa e aktgjykimit nga Kushtetuesja, dyshime se po tentohet mbajtja e dy palë zgjedhjeve për një ditë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vonesa e publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, ka shtuar diskutimet se mos po synohet një organizim i dy palë zgjedhjeve për një ditë.

Kjo pasi deri më tash, asnjëra palë nuk ka hequr dorë nga qëndrimet e veta, e si rezultat, opsion mund të jenë zgjedhjet.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, e ka ngritur këtë dilemë.

“Qoftë me kalkulime politike, qoftë si produkt i procedurave, masat dhe vonesat e Gjykatës Kushtetuese po duket se po e ndjekin kalendarin drejt një date të dakorduar në heshtje, për të mbajtur dy palë zgjedhje në të njëjtën ditë, me 12 tetor. Ose, një skenar tjetër, i diskutuar nga disa parti, është zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare mes raundit të parë dhe balotazhit të zgjedhjeve për kryetarë komunash”, tha ai.

“Kujt i shkon përshtati ky dakordim i heshtur dhe çfarë do të prodhojë për vendin mbajtja e dy palë zgjedhjeve – qendrore dhe lokale, do ta shohim. Ajo që dihet, ende nuk ka marrëveshje politike e as që duket se do të ketë. Situata aktuale më shumë po ngjanë në një ecje të qëllimshme, drejt zgjedhjeve të parakohshme”, ka shkruar Kryeziu më tutje.

Dje është bërë një javë që nga publikimi i njoftimit nga Gjykata Kushtetuese, dhe ende nuk ka publikim të aktgjykimit.

"TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi; T'UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve; TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili është publikuar javën e kaluar.

I habitur me këtë vonesë është shprehur edhe avokati Arianit Koci.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nuk e di se kujt po i shërben Kushtetuesja me këtë vonesë.

Gjendja politike është alarmante. Nuk kemi kohë. Pse Gjykata Kushtetuese e vonon kaq shumë arsyetimin? Kujt po i shërben? Në fund, ne kemi faj. Populli. Nuk reagojmë, nuk protestojmë! Veç ankesa në rrjete sociale, prej rehatisë së shtëpisë. E politikanët po e shfrytëzojnë këtë pasivitet qytetar”, ka shkruar Koci.

Nga publikimi i dispozitivit të gjitha palët janë në pritje të publikimit të arsyetimit.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se është në këtë pritje.

Duhet ta presim aktgjykimin e plotë. E kemi pasur më 26 qershor, më 8 gusht, por ky më 8 gusht është vetëm njoftim”, ka thënë Kurti në fillim të kësaj jave.

Lajme të ngjashme