Vonë, i panjohur dhe një letër: Çka i thanë ndërkombëtarët Qeverisë Kurti pasi premtoi një draft të Asociacionit?
Mëngjesin e së enjtes kryediplomatja Donika Gërvalla do të habiste opinionin publik me një vendim të Qeverisë Kurti. Ajo njoftoi se do të hartonin një draft të statutit të Asociacionit, dhe se të njëjtin do ta dërgonin deri në fund të këtij muaji në Gjykatën Kushtetuese. Ky ishte edhe një prej kushteve që Kosovës iu prezantua nga ndërkombëtarët për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në fund, takimi u mbajt sot dhe vendi, megjithatë, mbeti jashtë agjendës.
Ndër të parat që reagoi në lidhje me këto zhvillime, ishte Gjermania. Në një përgjigje dhënë Nacionales, nga ambasada gjermane na thanë dorëzimi i draft-statutit, duhej bërë para mbledhjes.
“QUINT-i dhe të tjerët në vazhdimësi kanë theksuar se nga Kosova pritet që të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit, në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme për dy të treta në Komitetin e Ministrave, që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm.”
“Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Kosova tani duhet të bëjë pjesën e rëndë”. Kjo nuk ka ndodhur ende.” – thuhej në përgjigje.
Italia në anën tjetër, deklaroi që ky draft statut do të kishte një përmbajtje të panjohur dhe nuk mund të konsiderohet si hap vendimtar.
“Njoftimi për dorëzimin e një draft-statuti me përmbajtje të panjohur, potencialisht që bie ndesh me Marrëveshjet përkatëse (si dhe me instrumente të tjera ndërkombëtare), pa diskutim paraprak ose prezantim në Dialog, dhe pa marrëveshje reciproke me Serbinë, nuk mund të konsiderohet si hap vendimtar drejt themelimit të Asociacionit/Komunitetit me Shumicë Serbe” – thanë për Nacionalen nga ambasada e Italisë.
Mes tjerash, theksohej se ky statut nuk ka qenë kurrë subjekt i diskutimeve me Serbinë në dialogun në Bruksel.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ndërkaq, i tha Nacionales se statut i Asociacionit duhet të prezantohet dhe të diskutohet në kuadër të dialogut. Edhe sipas tij, ky dokument, është i panjohur.
“Përmbajtja e statutit të paralajmëruar se do të hartohet nga Qeveria e Kosovës nuk dihet dhe nuk është diskutuar me Serbinë dhe Ndërmjetësuar e BE-së. Prandaj, është e pamundur të vlerësohet përputhshmëria e tij me Marrëveshjet e 2013 dhe 2015 në këtë fazë.” – tha ai.
Letra
Pasditen e së enjtes, do të publikohej një letër e nënshkruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministja italiane, Giorgia Meloni.
Propozimi, sipas tre liderëve evropian, nuk është i përshtatshëm dhe as i zbatueshëm në rrethanat aktuale. Qeverisë Kurti mes tjerash, i bëhej me dije se ekziston rreziku real që Kosova të mbetet jashtë KiE-së.
“Propozimi juaj për përgatitjen e një drafti të ri në konsultim me kryetarët apo deputetët aktualë të komunave nuk është as i përshtatshëm dhe as i zbatueshëm për rrethanat aktuale në këto komuna." - i thanë tre liderët Kurtit.
“Z. Kryeministër, le të jemi të qartë: Ekziston një rrezik real që pa një progres vendimtar të A/CSMM, aplikimi i Kosovës, Këshilli i Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare. Përparimi tani përgjatë linjave të sugjeruara nga Kuinti do të demonstronte përkushtimin tuaj ndaj të drejtave të pakicave, duke forcuar kështu pozitën e Kosovës dhe duke ri-energizuar Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar suksesin e aplikimit tuaj." - thuhej në letër