Von Cramon për heqjen e barrikadave: Është mirëpritur nga të gjithë, veç Putinit
Viola Von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka mirëpritur heqjen e barrikadave në veri, duke i konsiderur këto veprime të serbëve si provokim dhe të panevojshme.
Duke folur për RTK-në, Von Cramon, ka thënë se shpreson që kjo të jetë hera e fundit që qytetarët e Kosovës të provokohen me veprime të tilla.
“Besoj se të gjithë ne ndjehemi të çliruar. Kemi shpresuar për një kohë të gjatë që këto barrikada të hiqeshin nga ata njerëz që i kishin vendosur dhe që po i shtonin barrikadat në ditët e fundit. Po prisnim në prapavijë një marrëveshje. Barrikadat ishin provokim dhe gjë e panevojshme. Shpresoj që kjo të jetë hera e fundit që qytetarët e Kosovës janë provokuar nga këto veprime”, është shprehur ajo.
Duke shtuar se Evropës dhe rajonit nuk i duhet një tjetër front dhe agression ushtarak, Von Cramon ka thënë se heqja e barrikadave është mirëpritur nga çdokush, veç Putinit.
“Çdokush e ka mirëpritur këtë zhbllokim përveç Putinit apo Rusisë që gjithmonë kanë interes që të pengojnë integrimin evropian." ka thënë Von Cramon.
