“Vlerësimi i situatës së sigurisë u bë pa miratimin tonë”: KFOR demanton Kurtin dhe Policinë e Kosovës?
Vlerësimi i fundit i situtatës së sigurisë rreth ndërtesave komunale në veri është bërë nga Policia e Kosova e Kosovës dhe EULEX-i pa miratimin e KFOR-it, ndonëse ndryshe deklaruan Qeveria dhe Policia e Kosovës. Kështu ka bërë të ditur misioni i NATO-s përmes një komunikate për media, ku mes tjerash, mirëpret hapat për deeskalimin e situatës.
Përmes një komunikate të shpërndarë edhe në Facebook, KFOR-i ka thënë se vlerësimi i fundit i sigurisë në dhe rreth ndërtesave komunale është bërë pa miratimin e tyre.
“Për të qartësuar, vlerësimi i fundit i situatës së sigurisë në dhe përreth ndërtesave komunale është bërë nga Policia e Kosovës dhe EULEX pa miratimin e KFOR-it.” – thuhet aty .
#KFOR welcomes steps to reduce tensions in #Kosovo, including the Kosovo Police reducing presence near municipal buildings. To clarify, the recent assessment of the security situation in & around municipal buildings was made by the KP & @EULEXKosovo without KFOR’s endorsement. pic.twitter.com/F6e0uzqCLd
— NATO Kosovo Force - KFOR (@NATO_KFOR) August 4, 2023
Çka tha Qeveria
Duke treguar për zvogëlimin e pranisë së policisë në veri, kryeministri Kurti deklaroi se vlerësimi i gjendjes së sigurisë është bërë nga mbledhja e Policisë, EULEX-it dhe KFOR-it.
“Nga sot filloi zvogëlimi edhe për 25% të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit tonë. Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in.” – shkroi ai.
Por, mbrëmë në një shkrim në Twitter ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla konfirmoi se do të zvogëlohet prezenca e sigurisë edhe me një tjetër 25 për qind.
Por në këtë postim, Sveçla kishte përmendur edhe një “konkluzion të vlerësimit të përbashkët të sigurisë”, që sipas tij, kishte ardhur pas një takimi me EULEX dhe KFOR-in.
"Policia e Kosovës mbajti takim me EULEX_in dhe KFOR-in siç ishte e paraparë në pikën 2 të marrëveshjes së Bratisllavës. Konkluzioni i vlerësimit të përbashkët të sigurisë është që situata është e qetë. Që ngha nesër do të reduktojmë prezencën policore edhe me një 25 përqindësh tjetër në dhe rreth ndërtesave komunale.” – tha ai.
Çka tha Policia?
Komunikata e KFOR-it duket se e demanton edhe komunikatën e Policisë së Kosovës, ku thuhet se është bërë “vlerësim i përbashkët nga ata, EULEX-i dhe KFOR-i”.
“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore.” – thuhet fillimisht.
Më pas, Policia e përmend vlerësimin e sigurisë, duke thënë se “situata e sigurisë është e mirë”.
“Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri.” – bëhej e ditur tutje në komunikatë.
Marrëveshja e Bratisllavës
• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm për 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.
• Policia e Kosovёs bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.
• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.
• BE-ja do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.
