“Vlerë e shtuar”: Si e mbrojti Albin Kurti dy herë Dejona Mihalin, aktivisten e fuqishme të VV-së? - NACIONALE

“Vlerë e shtuar”: Si e mbrojti Albin Kurti dy herë Dejona Mihalin, aktivisten e fuqishme të VV-së?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti, përveç kryeministër i Kosovës, është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosjes. Sot, në Kuvendin e Kosovës, atij i është shtruar një pyetje interesante. Deputetja Ganimete Musliu e pyeti Kurtin rreth Dejona Mihalit, koordinatores së komiteteve, të cilën Haki Abazi, deputet i VV-së, e kishte quajtur kohë më parë “masha e Kurtit”.

Nuk është hera e parë që Kurti përballet me pyetje rreth Mihalit, që është aktiviste nga Shqipëria. Edhe më parë Kurti ishte përballur me një pyetje të tillë, duke dhënë edhe atëherë një përgjigje që anashkalonte thelbin e pyetjes.

Mbrojtja nr. 1

Një muaj e gjysmë më parë, Kurti ishte përballlur me pyetjen nëse Mihali e kontrollon LVV-në. Më saktësisht, Kurti i kishte përgënjeshtruar shkurtimisht të gjitha deklaratat e Abazit, i cili në një deklaratë publike kishte akuzuar Mihalin për kontrollim të LVV-së, përfshirë të fjalimeve të deputetëve të VV-së.

“Nga shkurti i vitit të kaluar, kam depozituar kërkesën për formimin e komisionit hetimor për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja pse po e përmendi me emër është sepse është dora, është masha e kontrollit të grupit parlamentar, duke mbivendosur mbi vullnetin e secilit deputetë, e cila vie pa asnjë legjitimitet në Lëvizjen Vetëvendosje. Zonja Mihali nuk ka qenë pjesë e votimit, pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme në LVV, por është njeriu kryesor e cila kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarjen që bëhet aty.” – deklaroi deputeti Abazi.

Në përgjigjen e tij të shkurtë, Kurti i kishte quajtur akuzat e Abazit si të pavërteta.

“Ato nuk janë të vërteta e as të sakta. Për këtë është përgjigjur ministrja e Drejtësie. LVV është subjekti më i madh dhe më demokratik. Unë nuk mund të mbajë përgjegjësi për fjalën publike të dikujt.” - ka thënë ai.

Mbrojtja nr. 2

Kurti e mbrojti edhe sot Mihalin. Në pyetjen e zonjes Musliu rreth pjesëmarrjes së Mihalit në një udhëtim zyrtar të Kurtit në Shqipëri, shefi i ekzekutivit nuk sqaroi asgjë. Mbrojtja e tij ndaj Mihalit ishte një togfjalësh i çuditshëm është “bashkëpunëtore e imja”.

“Dejona Mihali është bashkëpunëtore e imja e kahmotshme, ka vlerë të shtuar në rolin e saj edhe si drejtuese e Komiteteve profesionale dhe punës që bën me Kuvend për koordinimin me Grupin Parlamentar për nga fusha profesionale.” – deklaroi Kurti.

Tutje, i pari i VV-së u tall me insistimin e deputetes së PDK-së, duke thënë se pyetja e saj ishte kompliment ndaj qeverisjes së tij.

“Së pari më lejoni deputetja Musliu që t’iu falenderohem për këtë kompliment, pas dy vite qeverisje demokratike, progresiste, shikoni se çfarë pyetje më bëni mu. Ka ngel puna që të më kapeni për Dejona Mihalin. Kjo është kompliment për qeverisjen tonë.” – theksoi Kurti.

Në përgjigjen e tij, Kurti u kujdes të sqarojë tashmë një gjë të sqaruar, se zonja Mihali nuk është nga Beogradi.

“Gjithçka ka shkuar aq mirë e bukur, paska ngelur problemi me Dejona Mihalit. Këtë do t’ua sqaroj edhe votusve tuaj, mbështetsve tuaj, ajo është nga Tirana, mënyra qysh po e shtroni pyetjen, mos po menon najkush që është nga Beogradi. Unë kam qenë në Tiranë, Dejona Mihali është Tiranëse.” – vlerësoi shefi i Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, rreth figurës së Mihalit dhe fuqisë së saj në VV, Nacionale ka shkruar në vazhdimësi.

Lajme të ngjashme