"Vlerë e shtuar": Kush është "Grupi i Tiranës" në VV?
Dje në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti u përball me një pyetje që për shumë analistë e gazetarë është e rëndësishme. Ai u pyet rreth një vizite në Shqipëri, ku mori pjesë edhe një figurë ende enigmatike, Dejona Mihali.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e pyeti se kush është Dejona Mihali dhe pse ajo mori pjesë në një takim zyrtar në Shqipëri?
Shefi i ekzekutivit, pra Kurti, nuk sqaroi asgjë. Mbrojtja e tij ndaj Mihalit ishte një togfjalësh i çuditshëm është “bashkëpunëtore e imja”.
“Dejona Mihali është bashkëpunëtore e imja e kahmotshme, ka vlerë të shtuar në rolin e saj edhe si drejtuese e Komiteteve profesionale dhe punës që bën me Kuvend për koordinimin me Grupin Parlamentar për nga fusha profesionale.” – deklaroi Kurti.
Madje, ai u tall me pyetjen e Musliut.
“Së pari më lejoni deputetja Musliu që t’iu falenderohem për këtë kompliment, pas dy vite qeverisje demokratike, progresiste, shikoni se çfarë pyetje më bëni mu. Ka ngel puna që të më kapeni për Dejona Mihalin. Kjo është kompliment për qeverisjen tonë.” – theksoi Kurti.
Gazetari i Nacionales, Mirlind Behluli, e ka pyetur sërish Kurtin përmes një videoje në lidhje me fuqinë e Mihalit dhe grupit të “Tiranës”, ashtu siç njihen tashmë aktivistët e VV-së nga Shqipëria.
Në videon e mëposhtme, Behluli e shpjegon se pse kanë kaq shumë fuqi “Grupi i Tiranës”, duke theksuar se ata i përgatitin ideologjikisht aktivistët e VV-së.