Vjosa Osmani në fillim viktimizohet, më pas godet gazetarët: E lidh Radoiçiqin me media, flet për grusht-shtet e çka jo tjetër
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar gazetarët në një konferencë për media. Në fillim është viktimizuar, e më pas ka vazhduar goditjet brutale ndaj mediave.
Presidentja ka ndërlidhur gazetarët me Milan Radoiçiqin e me plane për grusht-shtet.
“E para nuk janë hetuar gazetarët. Është hetuar tjetër kush, janë hetuar Radoiçiqiat. Kur hetohen Radoiçiqiat, dalin bashkëpunëtorët e tyre. Dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, morale, ligjore, që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Kosovën, përfshirë plane për grushtshtet, rrezikime të ndryshme që i bëhen Kosovës. Pastaj kanë dalur shumë prova. Institucionet e sigurisë po vazhdojnë hetimet. E dinë ata kush janë, e kanë mizën mas veshi”, tha Osmani.
Viktimizimi i presidentes ka kaluar në tjetër nivel.
“Dje janë publikuar një sërë shpifjesh. Është pengesa më e madhe përcjellja nga mbrojtja e afërt. Vajzat e mia e urrejnë atë përcjellje, ua pengojnë fëmijërinë normale, ua pengojnë lojën normale, ato nuk duan asgjë tjetër thjeshtë të luan e të mësojnë e të rriten sikur bashkëmoshatarët e tyre. Rregullat e sigurisë as nuk i kam shpik unë, as nuk i kam sjell unë, ato kanë qenë të njëjta edhe për presidentë paraprakë, edhe për presidentët e ardhshëm. Me Ligj përcaktohet që presidentja dhe familja kanë mbrojtje të afërt dhe kanë nivelin e rrezikshmërisë të lartë. Nuk besoj që asnjë prind do të donte që të merrte kërcënime të vazhdueshme me plumb në ballë për veten ose fëmijët e vet, unë i marrë ato vazhdimisht. Nuk besoj që ka prind që do të donte që vajzat e veta të kërcënohen me dhunim. Nuk ka prind që do të donte t’i izolonte nga loja, ne detyrohemi ta bëjmë një gjë të tillë sepse ka dhjetëra kërcënime me jetë. Ka një kërcënim që ka ardhur nga serbët ku është postuar fotografia ime dhe e vajza të mia, ku thuhet “do të vdisni së shpejti”. Publikohen fotot e snajperit të drejtuar nga vetura ime, përkundër dhjetëra kërcënimeve me jetë, është hera e vetme në historinë e institucioneve që drejtësia nuk ka ndërmarrë asnjë masë, zero. Duhet të pyesni në favor të kujt shkon që një president i shtetit kushdo qoftë, mos ta ketë trajtimin e barabartë në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Osmani.
Madje, Osmani ka gënjyer publikisht duke thënë se gazetari nuk është arrestuar.
“Nuk di kush e ka arrestuar gazetarin. Pse s’më keni pyetur mua, nuk kam asgjë të fshehë. Që 6 vjet askush nuk ka dërguar pyetje ku i dërgon vajzat në shkollë. Pse me fsheh, vajzat e mia shkollohen në Kosovë, janë shkolluar për 5 vjet në shkollë publike Ismail Qemali. Duke ua publikuar edhe rutinën, edhe ku ecin, klasën që qëndrojnë. Kurrë nuk e kam sulmuar familjen e askujt, as nuk jam marrë me xhipat e zi të askujt, nëse dikush tjetër është marrë, dërgoni pyetjet te ata njerëz. Unë kam përgjegjësi për veprimet e mia, jo të tjerëve. Pikërisht për shkak se e kam ditur, fëmiju asnjëherë nuk ka asnjë faj për qëndrimet politike të prindërve, iu ftoj më sulmoni mua, ditë e natë. Kurrë mos u ndalni. Për çkado që ua merr mendja. Mos i incizioni vajzat e mia pa autorizim, e keni detyrim. Nuk kam dhënë leje ta bëni këtë gjë pa autorizim”, tha Osmani.
Madje, ka përmendur edhe vrasje politike.
“Nuk kam kërkuar të arrestohet ndonjë gazetar, sepse nuk ua kam frikën juve. Pse me u frikësu prej juve, ama në këtë vend ka edhe njerëz të çmendur që e shfrytëzojnë urrejtjen për ta kapur armën e për të vrarë. Ka pasur vrasje në këtë vend me motive politike. Kosova ka armiq të mëdhenj”, tha ajo.