Vjosa Osmani u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve: Flet për Kurtin, dialogun me Serbinë dhe flamurin Dardan - NACIONALE

Vjosa Osmani u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve: Flet për Kurtin, dialogun me Serbinë dhe flamurin Dardan

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zgjedhur një formë të re të komunikimit me qytetarët e vendit, edhe pse mund të themi që nuk është krejt transparente kjo mënyrë, pasi Osmani mund të përzgjedhë pytetjet që dëshiron t’u përgjigjet.

Në bashkëbisedimin e saj në rrjetin social Instagram, Osmani na shfaqi pyetjet e qytetarëve bashkë me përgjigjet e saj.

Pyetjet ishin të ndryshme. Një ndër to kishte të bënte me raportet e saj me kryeministrin Albin Kurtit.

“Çfarë janë raportet mes jush dhe kryeministrit. Të mira, shumë të mira, apo të shkëlqyera?”, ishte pyetja drejtuar Osmanit.

Osmani kësaj pyetjeje iu përgjigj duke thënë se ka raporte të shkëlqyeshme, me një fotografi nga takimet me të dhe me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, duke aluduar se Kurti edhe me Gërvallën i ka raportet e mira, pavarësisht huqjeve të saj.

Pytetja tjetër ishte se a do të jetë më aktive në dialogun Kosovë-Serbi, pasi deri më tani heshtja ka dominuar në Zyrën e Presidentes.

“Siç e dini, të gjitha qëndrimet në dialog koordinohen ndërmjet institucioneve tona. Prandaj unë tashmë jam aktive në këtë proces”, është përgjigjur Osmani.

Presidentja u pyet edhe për mënyrën se si Kosova mund të ngritet më shumë në arenën ndërkombëtare, duke thënë se vendi ynë ‘asnjëherë s’ka pasur imazh më të mirë në botë’.

“Fatkeqësisht sfidat janë të mëdha, por Kosova asnjëherë s’ka pasur imazh më të mirë në botë. Ashtu siç ka thënë presidenti Biden: “Kosova vazhdimisht gjatë këtij viti ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare”, përgjigjet Osmani.

Osmani ka përzgjedhur t’i përgjigjet edhe kësaj pyetje: “A mendon zonja Presidente me ndërru flamurin, me vendosë atë që e meritojmë, atë të Presidentit historik Ibrahim Rugova?”

Ajo la të hapur këtë mundësi duke thënë se ndërrimi i himinit është i paraparë edhe në Kushtetutën e Kosovës.

“Në momentin që kam marrë detyrën, në Presidencë kam rikthyer vulën e Presidentit Rugova dhe Flamurin Dardan në hapësirat e Presidencës. Sa i përket himnit të Kosovës, kriteret e ndryshimit parashihen në Kushtetutë”, u shpreh Osmani.

Osmani mori edhe shumë pyetje teksa mes tyre pati edhe shumë lavdata për punën e saj si presidente.

Kujtojmë që Vjosa Osmani ka mbushur një vit si presidente e vendit.

Për punë e saj njëvjeçare, Osmani u kritikua nga parititë opozitare, të cilat po e kundërshtojnë për heshtjen e saj për situatat që po kalon vendi.

Lajme të ngjashme