Vizita e shefit të CIA-s, paralajmërohet ndryshim i qasjes së pushtetit rreth Urës së Ibrit
Për dy ditë radhazi, shefi i CIA-s, William Burns, qëndroi në Kosovë, ku u takua me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Petrit Ajetin. Kjo vizitë është komentuar gjerësisht në opinionin kosovar. Një nga interpretimet e kësaj ngjarje ishte se tash e tutje do të ketë qëndrime më të zbutura nga ana e Qeverisë Kurti dhe VV-së.
Në një intervistë për Nacionalen, Burim Ramadani, ish-kryeinspektor i përgjithshëm i AKI-së, ka vlerësuar se vizita e Burnsit do ta ndryshojë edhe narrativën politike. Sipas Ramadanit, shefi i CIA-s e ka vrarë populizmin.
“Kosova nga e premtja nuk është më e njëjta - populizmi vdiq! Burns vrau populizmin. Nëse ky popullizëm do të tentojë të rikthehet, atëherë ideatorët dhe realizuesit do të jenë në telashe!
Pas vizitës së Burns, jo vetëm për veriun, por në për krejt fushat tjera do të largohet narrativi popullist. Nuk do të ketë më ‘tupanxhinj’ të pushtetit që fyejnë e konfrontohen me ShBA-në dhe NATO-n. Gishtat e vet do të mundohen t’i hanë prej pendimit!
Idiotët e Dobishëm nuk do të ndizen çdo ditë, sepse:
• Nuk do të dëgjoni më “Kosova u shkatërrua 20 vjet”!
• Nuk do të dëgjoni më “Amelika, Amelika”!
• Nuk do të dëgjoni më “kemi mospajtime me bashkësinë ndërkombëtare, por ne jemi shtet sovran”!
• Nuk do të dëgjoni më “me KFOR e pa KFOR, me NATO e pa NATO ne do të bëjmë kështu e ashtu...”!” – ka thënë Ramadani për Nacionalen.
Ndryshim në qasjen e pushtetit aktual e pret edhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi. Madje, Krasniqi shkroi se qeveritarët dhe deputetët e shumicës nuk do ta përmendin hapjen e Urës së Ibrit.
“Mbani shënim prej sodit e tutje se a do ta përmend ndokush nga qeveritarët e nga deputetët e shumicës hapjen e Urës së Ibrit. Tash e tutje do të flasin për bruto prodhimin vendor dhe buxhetin e shtuar. Besoj se do të jetë argëtuese, megjithëse fushata mund të bëhet shumë monotone” – ka shkruar Krasniqi.
Një ndryshim në diskurs, Nacionale e ka vërejtur te Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit Kurti. I njohur për gjuhën e ashpër ndaj ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, Feraj e ka interpretuar në mënyrë të butë vizitën dy ditore të shefit të CIA-s.
“E ku mund të flinte i qetë, përveçse në Kosovë, e me kë mund të takohet kaq lirshëm, me dorën në xhep, veçse me miqtë!” – ka shkruar Feraj.
Kurti e kishte cilësuar këtë vizitë si historike dhe që dëshmon marrëdhëniet e fuqishme bilaterale në mes të Kosovës dhe ShBA-së.
Sjellim ndër mend që shefi i CIA-s para se të qëndronte për dy ditë në Kosovës ishte në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi, ku kishte pasur takime të nivelit të lartë. Para gazetarëve, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar takimin me Burnsin si të dobishëm, të rëndëishëm dhe të sjellshme.