Vizita e shefit të CIA-s, Joseph: Besoj që Burnsi i ka thënë Kurtit të mos ndërmarrë veprime të njëanshme
Edëard Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, ka folur rreth vizitës së shefit të CIA-s, William Burns, në Ballkanin Perëndimor.Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, Joseph ka interpretuar ndikimet që kjo vizitë e shefit të CIA-s mund të ketë në Ballkanin Perëndimor. Sipas Josephit, kjo vizitë ka potencial të ndryshojë diçka në rajon, por jo në mënyrë dramatike.
Në këtë intervistë, Joseph ka treguar se çfarë beson që i ka thënë Burns-i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Shikojeni fotografinë që është publikuar. Keni parë Burnsin të ulur pranë kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti. Në të djathtë të Burnsit ka qenë ambasadori [i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey] Hovenier, duke marrë shënime.
Unë mendoj se ajo që Burns i ka thënë Kurtit, është mesazhi që ka dhënë edhe ambasadori Hovenier për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe për të mos destabilizuar rajonin.
Si drejtor i CIA-s, Burns mund të ketë kërkuar edhe rritjen e ndërgjegjësimit për aktivitetet dhe interesimin e Rusisë në rajon” – tha ai.
Tutje, profesori amerikan ka treguar edhe për atë se çfarë ka mundur t’i thotë kryeministri Kurti shefit të CIA-s në takimin gati një orësh në Prishtinë.
“Në anën tjetër, Kurti mund t’i ketë bërë presion Burnsit për pozicionin e SHBA-së ndaj Vuçiqit dhe për rastin e sulmit në Banjskë. Sepse, Burns është personi ideal për t’u pyetur në lidhje me Banjskën, çfarë ka ditur Vuçiq dhe cili ka qenë roli i tij. Ky mund të ketë qenë një moment ideal për ta ngritur këtë çështje. Nuk e di nëse Kurti e ka bërë këtë, por shefi i CIA-s është personi ideal” – tha Joseph për REL, transmeton Nacionale.
I pyetur për ndryshimet që mund të ndihen pas kësaj vizite, Joseph vlerësoi se ka potencial për ndryshim, ndonëse jo dramatik.
“Ndoshta jo në mënyrë drastike menjëherë, por ka potencial. Sepse, nëse Kurti dhe Vuçiq e kuptojnë qartazi se Shtetet e Bashkuara e dinë - dhe normalisht e dinë sepse Burns është shef i inteligjencës - se cilat veprime e destabilizojnë situatën dhe se SHBA-ja nuk do t’i tolerojë ato, atëherë një gjë e tillë mund t’i largojë disa tundime nga tryeza dhe ndoshta ta ripërqendrojë vëmendjen te bashkëpunimi. Mendoj kështu potencialisht, por nuk shoh diçka të menjëhershme apo dramatike” – tha ai.
Ndërsa në lidhje me vizitën e Burnsit në Serbi, Joseph ka vlerësuar se shefi i CIA-s me “terma të qartë” ia ka bërë të ditur se “ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Banjskë”.
“Unë besoj që edhe në Beograd, Burns ka pasur një takim të hapur me Vuçiqin, ku me terma të qartë ia ka bërë të ditur se ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Banjskë, e dimë se cili ka qenë roli juaj president Vuçiq dhe i dimë aktivitetet e figurave të tjera në Qeverinë tuaj. Pra, e dimë se çfarë ka bërë Qeveria juaj për të destabilizuar situatën dhe ne presim që t’i ndaloni ato veprime.
Unë shpresoj që Burns ta ketë thënë këtë në Beograd, por, sigurisht, ato janë takime konfidenciale dhe nuk e di” – shtoi Joseph.