Vizita e Kos në Kosovë, pas takimeve me Kurtin e Haxhiun kërkoi stabilitet institucional - NACIONALE

Vizita e Kos në Kosovë, pas takimeve me Kurtin e Haxhiun kërkoi stabilitet institucional

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, zhvilloi këto ditë vizitën e saj të parë në Kosovë që nga marrja e kësaj detyre.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Kos u takua me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Të dyve u kërkoi stabilitet institucional.

Pas takimit me Kurtin, Kos tha se viti 2026 mund të jetë një moment i mundësive evropiane për Kosovën.

“Ishte kënaqësi të jem sot në Prishtinë dhe të takohem me kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë. 88% e qytetarëve të Kosovës besojnë në perspektivën evropiane të vendit. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi thirrjes së tyre për të intensifikuar nivelin e punës në çështjet ekonomike, në përparimin demokratik dhe në reforma. Viti 2026 mund të jetë një moment i mundësive evropiane për Kosovën. Kjo kërkon që forcat politike të bashkohen dhe të gjejnë stabilitet institucional afatgjatë”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë, Kurti në një njoftim tha se ka kërkuar avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.

“Kanë kaluar mbi 40 muaj që nga aplikimi i Kosovës dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit nga ana e BE-së duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës”, tha kryeministri në detyrë, duke shtuar se Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtër e as derë të pasme, por vetëm një proces të bazuar në merita dhe trajtim të barabartë.

“Gjetja e unitetit brenda BE-së për të marrë vendime ndaj Kosovës është detyrë e përbashkët e institucioneve të BE-së dhe e shteteve anëtare”, thuhej në një njoftim të zyrës së tij.

Stabilitetin institucional, Kos e përmendi edhe gjatë takimit me Haxhiun.

“Isha e lumtur të takohem sot në Prishtinë me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu dhe ta falënderoj për pritjen e përzemërt. Më gëzon përkushtimi i saj ndaj rrugës evropiane të Kosovës. Shpresojmë të rikthehemi në një nivel më të lartë bashkëpunimi për çështjet e integrimit evropian, reformave dhe rritjes ekonomike. Pres me padurim të rikthehem në Kosovë sapo të gjendet sërish stabiliteti i plotë institucional”, deklaroi ajo.

Komisionerja evropiane për Zgjerim ishte paraparë ta vizitonte Kosovën në mars të këtij viti.

Megjithatë, siç ishte konfirmuar më herët, Kos e kishte shtyrë vizitën për shkak të zhvillimeve politike në vend.

Lajme të ngjashme