"Vizat, NATO, lobimi për njohje": Çka mund të sjellë paralajmërim i "shtrëngimit" të masave?
Takimi i nivelit të lartë i mbajtur me 14 shtator ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit nuk ka sjellur rezultatet e dëshiruara, pasiqë palët nuk janë pajtuar. Bashkimi Evropian nuk përjashton masat e reja ndaj palëve, teksa politikanë të rëndësishëm amerikanë dhe evropianë tashmë kanë treguar se cilat mund të jenë këto masa ndëshkuese. Çfarë paralajmëruan?
Peter Stano, zëdhënës për politikë të jashtme dhe sigurisë në BE, është deklaruar sot në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë për medie, ai ka sqaruar se Josep Borrell, shef i diplomacisë së BE-së, ka theksuar se raundi i djeshëm i bisedimeve nuk solli rezultate.
Në fjalitë pasuese, tha se nëse palët nuk dëshirojnë të ndihmohen, BE nuk ka se çfarë të bëjë, teksa paralajmëroi masa shtesë nëse vazhdon e njëjta situatë.
“Me fjalë të tjera, ne ndihmojmë për të kapërcyer dallimet, por nuk do të kemi sukses derisa palët të jenë gati për kompromis. Ne duam të ndihmojmë, por nëse ju doni të ndihmoni dikë dhe dikush nuk dëshiron të ndihmohet, çfarë mund të bëni?”, ka thënë Stano në një konferencë për media.
“Nëse ndonjë anëtar i BE-së nuk sheh hapa për shtensionim, mund të futen masa shtesë, por edhe për palën tjetër. Ky është një proces që anëtarët po e ndjekin, nuk janë të kënaqur me zhvillimin e ngjarjeve. Ata kishin pritshmëri të ndryshme dhe nëse situata vazhdon të zhvillohet kështu, do të sjell përgjigje më specifike për pyetjen tuaj nëse do të ketë masa shtesë”, ka thënë Stano.
Masat e paralajmëruara
Emisari amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Gabriel Escobar, një ditë para takimit të 14 shtatorit, ka paralajmëruar Kosovën dhe Serbinë se do të këtë pasoja nesë nuk shënojnë përparim në kuadër të dialogut.
Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka përmendur si masa ndëshkuese ndaj Kosovës, çështjen e njohjeve të reja, konferencë donatorësh, dialogun strategjik me SHBA-në, dhe marrëdhëniet më të afërta me NATO-n.
“Tashmë po fillojmë t’i shohim pasojat. Megjithëse Kosova i quan sanksione, ato nuk janë vërtet sanksione – masat që BE-ja ka vendosur, për të mos vazhduar me disa nga mekanizmat e anëtarësimit, janë mjaft serioze. Edhe për Serbinë, do të jetë po kështu. Por, për Kosovën - mundësitë për njohje të reja, për konferencë donatorësh, për dialog strategjik dypalësh me Shtetet e Bashkuara dhe për një marrëdhënie të afërt me NATO-n. Fatkeqësisht, nëse nuk shënojmë përparim, do ta humbim këtë (mundësi) këtë vit. Edhe për Serbinë do të jetë shumë e ngjashme. Bashkimi Evropian do të dëshirojë të shohë shenja më të qarta nga Serbia se është e interesuar ta zbatojë këtë marrëveshje të normalizimit ndërkohë që vendos për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit.” – ka thënë Escobar.
Paralajmërimi i presidentit Macron
Dy javë para takimit të djeshëm, presidenti i Francës, Emmanuel Macron në fjalimin e tij para ambasadorëve, teksa ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ka paralajmëruar masa ndaj palëve nëse nuk veprojnë me përgjegjësi.
Presidenti francez ka përmendur çështjen e vizave dhe çështje të tjera ekonomike si zotime që mund të rishikohen nëse palet nuk sillen me përgjegjësi.
“Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë Macron.