Çarja e madhe Kurti-Borrell, Hill i del në krah top-diplomatit evropian dhe lavdëron Serbinë - NACIONALE

Çarja e madhe Kurti-Borrell, Hill i del në krah top-diplomatit evropian dhe lavdëron Serbinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tri figurat më kyçe të Lëvizjes Vetëvendosje – Albin Kurti, Besnik Bislimi, Glauk Konjufca – disa ditë para takimit të Nivelit të Lartë në Bruksel, përmes disa intervistave në varg, paralajmëruan, përmes fjalëve të tyre, se ky takim do të merrte fund ashtu siç morri fund: pa rezultat.

Kurti nga Estonia tha se ShBA dhe BE “vetëm nominalisht na trajtojnë të barabartë me Serbinë, por jo edhe në thelb”; Bislimi për “Danas”-in serb goditi mbarë Bashkimin Evropian duke thënë se këta të fundit “nuk janë më fascilitues (lehtësues) por negociues” dhe se “kjo konfirmohet nga dekalrata e 3 qershorit dhe masat pasuese që na kanë vënë”; dhe Konjufca i cili tha se nuk bëhet fjalë për zbatim të Marrëveshjes Bazike me Asociacionin si nisës dhe pa marrë në rend të parë atë që jepet për “njohje de facto”.

Takimi ndodhi, por nga ajo s’ndodhi gjë. Ndërmjetësit njoftuan se Kurti refuzoi “propozimin për zbatim paralel të aspekteve politike të formalizimit të njohjes de facto bashkërisht me Asociacionin” dhe se kjo “ishte ofera më e mirë që mund të bënim”.

Kurti në anën tjetër, tha se “kushtëzimi serb u bë qëndrim edhe e emisarëve” dhe nxorri një propozim të tij që tha t’ua ketë paraqitur; por që s’i ishte pranuar.

“Kurti inistoi në formalizimin e njohjes de facto. Dhe, më duhet të them që Vuçiqi pranoi propozimin e BE-së. Erdhi fillimisht me propozim të tij, por përfundimisht e pranoi të BE-së”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Nacionalen, pyetur rreth pretendimeve të Kurtit se BE ka mëveshur kushtëzimet serbe dhe i ka bërë qëndrime të saj, tha se “Kurti vazhdon të pretendojë shumë gjëra”.

Peter Stano, në rend të parë na referoi transkriptën e plotë të konferencës për shtyp të Josep Borrell-it. Në insistimin e Nacionales për të parë këtë “propozim-kompromis për zbatimit paralel” të Marrëveshjes Bazike, Stano ka një përgjigje për Kurtin.

“(Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti) vazhdon të pretendojë shumë gjëra. Dialogu nuk është të publikosh letra. Por, është të nxjerrësh rezultate përmes kompromisit”, na tha në një përgjigje me shkrim zoti Stano.

Ndërkaq në një konferencë të sotme për media, Stano dha edhe disa tone të forta; përveç se paralajmëroi edhe se masat ndëshkuese ndaj Kosovës edhe mund të rëndohen.

“Nëse ti dëshiron që të ndihmosh dikë dhe ai nuk do që të jetë i ndihmuar, atëherë çfarë mund të bësh”, tha zëdhënësi në kontekstin e refuzimit të propozimit të BE-së nga kryeministri Kurti.

Deklarimi brutal i Christopher Hill

“Serbia shkoi e përgatitur në Bruksel dhe i bëri detyrat e saj të shtëpisë”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një deklarim për takimin e djeshëm të dështuar të Nivelit të Lartë, ku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi plan-propozimin e sekuencimit të zbatimit paralel të Marrëveshje Bazike të paraqitur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Hill e lavdëron Serbinë se shkoi e “përgatitur mirë” bashkërisht me Bashkimin Evropian, teksa eviton të thotë të njëjtën për palën kosovare, përkatësisht kryeministrin Kurti.

“Unë s’kam marrë pjesë në negociata, nuk ka pasur as amerikanë aty. Por, qartazi nga ato që kam lexuar, zoti Borrell dhe pala serbe shkuan të përgatitur mirë dhe i pajtuan në themel me propozimin e BE-së”, ka thënë Hill për Tanjug, siç e citoi "Blic.rs".

"(Bashkimi Evropian) ka vendosur përpjekje të mëdha dhe ShBA ka shprehur qëndrimin parimor që do ta mbështesin zotin Borrell. Nëse ai është i kënaqur, do të jemi edhe ne; nëse nuk është i kënaqur, edhe ne do të jemi tejet të pakënaqur", ka shtuar ai.

Hill u shpreh se BE propozi “një formulë kompromisi”.

“Për aq sa e kuptova çka tha zoti Borrell, ata provuan të vendosin një plan sekuencimi. Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe çështja e një hapësire më të gjërë për ndërkombëtarizimin e Kosovës, dhe po provojnë të rendisin këto elemente. Do ta shohim se si do të shkojë e gjitha kjo. Siç thash, këto janë negociata të vështira, por mendoj se Serbia i bëri punët e saj të shtëpisë dhe u përgatit mirë”, ka thënë Hill.

Deklarimi i parë i Lajçakut pas takimit

“Më jepni atë që meritoj, unë bëj atë që është e nevojshme”.

Kështu e përkufizon qëndrimin edhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti edhe të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërmjetësi evropian i dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Por “nuk shkon kështu”, ka thënë Lajçak në një bisedë me gazetarë, siç e citoi të ketë thënë agjencioni sllovak i lajmeve TASR.

Lajçak, ndonëse më parë shprehej i lumtur se brenda bisedimeve mes Kurtit dhe Vuçiqit kishte nisur të mbizotëronte një “atmosferë respekti”, kësaj here u shpreh se “ka nivelë të thellë mosbesimi” mes tyre dhe se assesi Kurti dhe Vuçiqi “nuk ia dalin të tejkalojml dallimet”.

Ndërkaq për propozim-kompromisin e BE-së për “zbatim paralel” të Marrëveshjes Bazike – përkatësisht aspektet e formalizimit të njohjes ‘de facto’ krahas zbatimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe – Lajçak tha se ishte Kurti ai që refuzoi, e jo Vuçiqi.

Emisari evropian e shpjegoi këtë zbatim paralel në këtë mënyrë: Prishtina të nis negocimin e garancive për serbët në veri të Kosovës dhe Serbia të nis gradualisht zbatimin e obligimeve të saj.

Ndërkaq, më tej, ai thotë se ky proces do të jetë “transparent dhe i matshëm”. Nëse njëra palë zbaton atë e tjetra jo, Lajçak thotë se “mund të ndalet në çfarëdo kohe”. Për Kurtin, ai tregoi se nguli këmbë në aspektet e formalizimit të njohjes ‘de facto’ në rend të parë.

Ndërmjetësi thotë se është “i sigurtë” se dokumenti më i mirë është ai i Ohrit dhe se “do të ishte për keqardhje nëse mbetet në pluhur”.

“Në një rast të tillë presim më shumë konflikte, më shumë dhunë në veri të Kosovës”, ka thënë Miroslav Lajçak.

Lajme të ngjashme