Vizat, Lajçaku dhe gjetja e mostrave të Astrit Deharit - kryetemat e javës - NACIONALE

Vizat, Lajçaku dhe gjetja e mostrave të Astrit Deharit - kryetemat e javës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Miratimi i liberalizimit të vizave për Kosovë nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, ishte lajmi kryesor por edhe më i miri për kosovarët. Përveç kësaj, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi vizitoi Kosovën dhe gjetja e një pjesë të mostrave të Astrit Deharit, ishin disa nga temat kryesore të javës që po e lëmë pas.

Vizat

Duket se regjimit të viziave po i vjen fundit. Krejt kjo pasi në Këshillin e Ministrave të BE-së, Të enjten dha dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Të gjitha vendet e BE-së edhe ato vende që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, votuan për liberalizimin e vizave.

Regjimi i vizave mund të marrë fund në vitin 2024.

Vendet e BE-së kanë rënë dakord: mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të mund të udhëtojnë në BE pa vizë. Rregullat e reja duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian përpara se të hyjnë në fuqi. Ato do të aplikohen më së voni deri më 1 janar 2024.” – u tha mënjëherë pas votimit.

Hapat e ardhshëm të këtij procesin janë: miratimi në Parlamenti Evropian dhe pastaj publikimi në Gazetën zyrtare me datën e hyrjes në fuqi.

Pas këtij vendimi në Kosovë pati shumë reagime të cilët mirëpritën vendimin e ministrave të BE-së teksa pushtetarët tentuan që meritat t’i marrin për vete për këtë proces.

Aneksi i zbatimit dhe 18 marsi

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak të enjtën vizitoi Kosovën. Përveç takimeve me kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentent, Vjosa Osmani, ai u takua edhe me liderët e partive opozitare. PDK, LDK e AAK zhvilluan takime me Lajçakun.

Kryetemë e të gjitha takimeve ishte propozimi i BE-së dhe ankesi i zbatimit të këtij plani.

Lajçak pas takimit me Kurtin tha se pritshmërit e tij janë përmbushur sa i përket zbatimit të planit nga Kosova.

Me kryeministrin Kurti patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst.” – ka thënë ai.

Ndryshe ai ka thënë se ka 15 modele se si do të bëhet Asociacioni teksa për 18 marsin takimin e ardhshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit, ai tha se kjo datë nuk është zgjedhur aksidentalisht pasi që disa ditë pas kësaj do të ketë një agjendë tejet të rëndësishme brenda Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, Zyra e Kryeministrit, pas takimit ka thënë se Qeveria do të “jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu Kurti ka shprehur pritshmërinë e tij që “Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës.

Më tej, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas takimit me Lajçakun ka thënë se “Kjo marrëveshje, duhet thënë qartë, heqë dorë prej arritjes së njohjes së ndërsjellë.”, ku ka shprehur edhe një herë rezervat e tij për propozimin e BE-së.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në takim me Lajçakun ka përmendur se marrëveshja duhet të ketë njohje reciproke. Ai ka kërkuar sqarime nga Lajçak për nenin 7 dhe 10 të propozimit të BE-së.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk ka kundërshtuar dhe as s’ka shprehur rezerva për këtë plan.

Për Aleancën për Ardhmerinë e Kosovës kjo marrëveshje është me interes nacional, pasi që e siguron rrugëtimin tonë të qëndrueshëm drejt integrimeve euro-atlantike.” – thuhet në njoftimin e Haradinajt në Facebook.

Gjithashtu, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka bërë të ditur se në takim me presidentin amerikan, Joe Biden kanë diskutuar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Mostrat e Deharit

Gjatë javës, gazeta Nacionale raporti ekskluzivisht se janë gjetur një pjesë mostrave të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Deharit, të cilat ishin zhdukur në dhjetor të vitit të kaluar.

Mostrat e urinës dhe të lukthit janë gjetur sërish dhe tashmë mungojnë 15 epruvetat e mostrave të gjakut.

Çudia doli të jetë se një pjesë e mostrave të Astrit Deharit u gjetën në një nga frigoriferët i cili nuk monitorohet nga kamerat e sigurisë. Kështu kanë bërë të ditura burime të sigurta për gazetën Nacionale.

Ndërkohë për gjetjen e mostrave të Deharit pati shumë reagime.

Nëna e Astrit Deharit, Xhemile Dehari në një prononcim për Nacionalen ka akuzuar prokurorin e rastit, Afrim Shefkiu për posedimin e mostrave të djalit të saj.

Ndërsa, Avokati Tomë Gashi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nëse dihet që janë gjetur, “a dihet kush është nën hetime apo në burg për zhdukjen e mostrave”.

Policia, Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë, deri më tani s’e kanë thënë asnjë fjalë për gjetjen e disa prej mostrave të Astrit Deharit

Lajme të ngjashme