Kryeziu: 15 modelet e propozuara nga Lajçak nuk janë për Asociacionin
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, i ka prezantuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit 15 modele për rregullimin e të drejtave të pakicave, e jo për Asociacionin.
Duke folur për televizionin publik RTK, Kryeziu ka thënë se qeveria do të analizojë karakteristikat dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve, duke shtuar se disa prej modeleve që pasqyrojnë standardet e Këshillit të Evropës, do të mund të shërbejnë si referencë apo orientim për sigurimin e të drejtave të pakicave në Kosovë, me respektimin e shtetit.
“Nga ne nuk është kërkuar të zgjedhin një nga ato 15 modele, por disa nga ato, të cilat reflektojnë standardet e Këshillit të Evropës dhe që do të mund të shërbejnë si referencë apo orientim për një propozim për të drejtat e minoriteteve, i cili mund të jetë i aplikueshëm, i pranueshëm për Kosovën, si dhe në përputhje me parimin e vënies në fokus të të drejtave të anëtarëve të një komuniteti. Gjithmonë duke qenë në respektimin të kushtetutshmërisë se vendit, pa kompetenca ekzekutive dhe një që nuk përbën nivel të tretë të qeverisjes,”- ka thënë Kryeziu.
Kujtojmë se më parë Lajçak ka thënë se i ka propozuar Kurtit 15 modele evropiane që mund të përdoren si frymëzim për formimin e Asociacionit.
