‘Vijesti’: Një zyrtar i lartë ushtarakë i huaj nga Kosova informoi Gjukanoviqin se po planifikohet atentat ndaj tij - NACIONALE

‘Vijesti’: Një zyrtar i lartë ushtarakë i huaj nga Kosova informoi Gjukanoviqin se po planifikohet atentat ndaj tij

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i lartë ushtarak i huaj nga Kosova raportohet ta ketë informuar ish-presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq se një grup kriminal i organizuar nga një shtet fqinj, ka qenë duke përgatitur një plan për vrasjen e tij, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë të një shteti tjetër fqinj.

Mediumi malazez “Vijesti” raporton se Gjukanoviq ka informuar autoritetet e Malit të Zi se ka marrë informacione që po planifikohet një atentat ndaj tij.

Mbrëmjen e kaluar, Drejtoria e Policisë i ka thënë mediumit se nuk kanë ndonjë informacion që mund të japë indikacione për aktivitete të planifikuara të cilat rrezikojnë sigurinë e ish-presidentit.

Po ashtu, Agjencia Kombëtare e Sigurisë nuk është përgjigjur kur është pyetur në lidhje me këtë çështje.

“Ish-presidenti e ka marrë informacionin e lartë përmendur nga disa zyrtarë ndërkombëtarë nga komuniteti i intelegjencës, dhe me këtë informacion, ka njoftuar auroitetet e shtetit.” – ka thënë zyra e Gjukanoviq kur është pyetur nëse dikush nga sektori i sigurisë e ka informuar se është në rrezik, ose se po planifikohet atentat ndaj tij.

Ndërkohë, nuk janë përgjigjur se kur dhe nga kush e ka marrë ish-presidenti këtë informacion.

Në anën tjetër, një burim i afërt me Gjukanoviq ka thënë se një zyrtar i lartë ushtarak i huaj nga Kosova e ka informuar atë që një grup kriminal nga një shtet fqinj po planifikon të organizojë vrasjen e tij.

“Sipas nenit 18 të Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, me përfundimin e detyrës, Presidenti ka të drejtë në sigurim të përhershëm personal në përputhje me vlerësimin e sigurisë të përcaktuar nga organi kompetent, në pajtim me ligjin. me rregullore pozitive, Agjencia e Sigurisë Kombëtare është përgjegjëse për përgatitjen e raporteve për vlerësimin e kërcënimeve të sigurisë.” – kanë njoftuar nga policia.

Kur medium ka pyetur zyrën e Gjukanoviq nëse këtij të fundit i është rritur mbrojtja, ata kanë thënë se ajo në fakt veçse është zvogëluar.

“Ndryshimet e sigurisë në atë periudhë kanë ndodhur deri në atë masë sa që siguria në vendbanimin e ish-presidentit është hequr gjatë ndërrimit të ditës.” – thuhet në përgjigje.

Po ashtu, ata kanë thënë që shërbimet e sigurisë së Malit të Zi nuk e kanë ftuar Gjukanoviq apo koordinatorin e tij për siguri për intervistë, në mënyrë që të kuptohet nëse ka rrezik potencial.

“Nuk ka pasur ndonjë iniciativë për bisedë nga përfaqësuesit e shërbimeve të sigurisë.’ – shtuan tutje nga zyra e Gjukanoviq.

Lajme të ngjashme