Vetingu, konfiskimi, aksione, arrestime – drejtësia e siguria në 1 vit me qeverisjen Kurti - NACIONALE

Vetingu, konfiskimi, aksione, arrestime – drejtësia e siguria në 1 vit me qeverisjen Kurti

4 vjet më parë

nga NACIONALE

22 marsi i vitit 2021 shënoi ardhjen në pushtet për herë të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje me Albin Kurtin. Drejtësia ishte një nga prioritetet që Kurti paraprakisht gjatë fushatës, kishte përmendur më së shumti. Vetingu, konfiskimi i pasurisë, reformat në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës e deri te aksionet policore për arrestimin e zyrtarëve të ndryshëm e shkatërrimit të grupeve kriminale. Gazeta Nacionale sjell përmbledhjen e veprimeve që ka marrë qeveria Kurti II për drejtësinë e sigurinë.

Komisioni i Venecias ishte adresa e qeverisë Kurti II për shumicën prej iniciativave të ndërmarra për reformat në sistemin e drejtësisë. Vetingu si një nga iniciativat kryesore të ekzekutivit, Ligji për Këshillin Prokurorial, e Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme. Për të gjtha këto iniciativa Venecia ka dhënë, ose pritet të japë një verdikt nëse janë në parim për standardet ndërkombëtare.

Tjera premtime të kryeministrit Kurti ndërlidhen me Gjykatën Komeciale, Institutin për Krime të Luftës e padia për gjenocid ndaj Serbisë. Veç drejtësisë, anash nuk mbeti as siguria. Aksione të shumta policore e arrestime ishin subjekte me të cilat u krenua jo pak qeveria Kurti II.

Qeveria dhe Drejtësia

Reforma e Vetingut ishte mollë sherri për shumë përplasje që nisën ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë e akterëve në sistemin prokurorial. Kjo reformë e nisur nga MD-ja aktualisht është në trajtim e sipër nga Komisioni i Venecias. Kjo reformë sipas planit të ministrisë që e drejton Albulena Haxhiu, synon të bëjë një vlerësim të performancës, pasurisë dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që aktualisht janë pjesë e sistemit të drejtësisë, dhe atyre që në të ardhmen mësyjnë këto pozita.

“Vlerësimi i performancës përfshin njohuritë profesionale, aftësinë për arsyetim juridik dhe kompetenca tjera të përcaktuara me ligj. Vlerësimi kalimtar i pasurisë përfshin vlerësimin e deklarimit të pasurisë të subjektit që vlerësohet ose anëtarëve të familjes, duke identifikuar rastet e mospërputhjes mes pasurisë së tij, dhe të ardhurave të tij të ligjshme. Vlerësimi kalimtar i integritetit përfshin vlerësimin e kontakteve të panevojshme që mund të ndikojnë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë të paanshme dhe objektive nga subjekti në vlerësim, ose kur kjo mund të ndikojë në detyrat dhe përgjegjësitë e tij”- thuhet në 3 prej neneve që synohet të shtohen në Kushtetutën e Kosovës për Vetingun.

Nëse një gjyqtar apo prokuror nuk arrin t’i kalojë procedurat e Vetingut, atëherë për të parashihet shkarkimi ose degradimi në pozitë.

Një tjetër reformë e nisur nga Ministria e Drejtësisë, ishte edhe ndryshimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial. Sipas këtyre ndryshimeve, mundësohet zvogëlimi i numrit të anëtarëve të KPK-së, prej të cilëve 4 do të ishin prokurorë e 3 joprokurorë. Në parim, Venecia e përkrahu këtë ide, por që kritikoi qeverinë Kurti II se anëtarët nuk mund të zgjedhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend, pasi mund të ketë tendencë për ndikime politike. Drafti final po vazhdon të jetë në trajtim nga Komisoni i Venecias. Pavarësisht kësaj, pa e pritur rekomandimin final, Qeveria e përcolli këtë projektligj për në Kuvend, dhe aktualisht është në trajtim e sipër në komisionet parlamentare.

Në Kuvend shkoi edhe Projektligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë. Por, si pasojë e kundërshtimeve nga opozita, kryeparlamentari Konjufca e tërhoqi dhe e dërgoi gjithashtu për rekomandime në Komisionin e Venecias. Vërejtjet kryesore ndërlidheshin që qeveria do të mund ta përdorte këtë Byro ndaj kundërshtarëve politikë.

“Në rast se nga të dhënat e mbledhura nga procedura e verifikimit dhe të dhënat, provat dhe dëshmitë e ofruara nga pala në procedurë, zyrtari i Byrosë vëren se ka shpërputhje në mes të të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej njëzetepesëmijë (25.000) euro, atëherë zyrtari i Byrosë propozon dërgimin e çështjes në Gjykatë për konfiskim. Në rast se pala në procedurë nuk i përgjigjet ftesës së Byrosë dhe vlera e pasurisë së listuar është më e lartë se njëzetepesëmijë (25.000) euro, atëherë supozohet se pasuria e listuar është fituar në mënyrë të pajustifikueshme.”, thuhet në ligj.

Për dallim nga këto inciativa, ajo që u finalizua ishte Gjykata Komerciale, e cila do t’i ndihmojë bizneset në kontestet që kanë nëpër instance gjyqësore, e për të cilat prisnin vite me radhë.

Qeveria Kurti II nisi procedurat edhe për rithemelimin e Institutit për Krime të Luftës. Aktualisht, Ministria e Drejtësisë është në fazat finale të hartimit të Ligjit përfundimtar. Megjithatë, shumë veprime konkrete nuk pati për padinë për gjenocid, e cila gjithashtu ishte një nga premtimet kryesore të qeverisë Kurti II.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se një vit nuk është i mjaftueshëm për të bërë reforma të thella në sistemin e drejtësisë.

“Vettingu dhe Byroja për Konfiskim të Pasurisë, këto dyja janë në Venecia, andaj pritet të shihet se cili do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias nëse këto dy ligje i cenojnë apo janë në harmoni me praktikat e standardet ndërkombëtare. Përderisa një vit nuk ëshë i mjaftueshëm për reforma të thella në sistemin e drejtësisë, mbetet të shihet qëndrimi i Venecias për Vetingun dhe Byronë për ta pasur më të qartë sa i përket efikasitetit të kësaj qeverie në këto iniciativa”, ka thënë Miftaraj për gazetën Nacionale.

Aksione, arrestime – Siguria në 1 vit të qeverises Kurti II

Një aksion i Policisë së Kosovës në tetorin e vitit të kaluar në veriun e vendit, nxiti jo pak trazira. Dogana bashkë me njësitet speciale zbarkuan në veri në një aksion kundër kontrabandës. U arrestuan disa persona, por “peshqit e mëdhenj” arritën të iknin. Kjo edhe njëherë, si pasojë e rrjedhjes së informacioneve qysh para nisjes së këtyre aksioneve.

Vazhdoi aksioni për arrestimin e të dyshuarve si të përfshirë për dallavere me subvencione. U arrestuan 48 policë e 2 doganierë për ryshfet nëpër pika kufitare. U arrestuan gjithashtu edhe dhjetëra të tjerë për keqpërdorime me rastin e dhënies së lejeve për ndërtime në Brezovicë. 400 kilogramë drogë u konfiskuan në një aksion që ndodhi në Lipjan.

Qeveria Kurti II rriti buxhetin për Ushtrinë e Kosovës. E në anën tjetër, e krijoi edhe një Fond të Sigurisë pas luftës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, ku qytetarët do të mund të kontribuojnë me shuma të ndryshme për forcimin e FSK-së.

Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë për gazetën Nacionale se pas tensioneve në Ukrainë, qeveria duhet të jetë e vëmendshme për sigurinë në vend.

“Qeveria ka për detyrë të përcaktojë orientimet politike duke vënë në pah pikat dhe rrugët që duhet të ndiqen nga Agjencitë ekzekutive që ndërlidhen me sigurinë e vendit. Siguria në Kosovë në këtë fazë ka disa segmente që po u kërkohet më shumë aktivitete, siç është ruajtja e sigurisë nacionale, që në kohë krize në Ukrainë është duke u marrë me mbikëqyrjen dhe analizimin e çdo informacioni që mund ta cenojë rendin kushtetues të vendit”, shprehet Drizan Shala.

Përtej krenarive nëpër rrjete sociale me reformat e nisura e me aksionet policore, mbetet të shihet nëse drejtësia e siguria do të vazhdojnë të jenë prioritet edhe në vitet e mbetura për qeverinë Kurti II.

Lajme të ngjashme