Vetëvendosja i bën ‘komunistë’ atdhetarët antikomunistë - NACIONALE

Vetëvendosja i bën ‘komunistë’ atdhetarët antikomunistë

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Partia në pushtet, Lëvizja në Vetëvendosje, prej funddhjetorit të vitit të kaluar është bërë anëtare me të drejta të plota në të ashtuquajturën ‘Internacionale Socialiste’. Ndryshe prej partive e lëvizjeve të tjera simotra që tubohen nën këtë çadër, Vetëvendosja ka shkuar një hap më larg. Duke e shfrytëzuar të qenët në pushtet, ajo ka imponuar dalëngadalë plot prej fiksimeve të saj ideologjike në narracionin historiografik në Kosovë. Pas Konferencës së Bujanit, të cilës i ka kushtuar kremtime të ndryshme—madje këtë vullnet ia ka diktuar edhe Institutit të Historisë—kjo parti, në mënyrë blatante, ka filluar t’i keqparaqesë edhe plot veprimtarë nacionalistë të NDSH-së si të majtë.

Col Mehmeti

Në vitet e rinisë e gjithë përpjekja e tyre kishte qenë e kahëzuar në vizionin politik për bashkimin e hapësirave shqiptare dhe vendosjen e një regjimi demokratik e properëndimor. Shumica e këtyre veprimtarëve ishin antikomunistë — edhe vetë aktgjykimet e autoriteteve jugosllave i shënjestruan si ‘armiq’ ideologjikë.

Kjo rrethanë nuk i ka penguar përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, që plot figura të pas Luftës së Dytë Botërore t’i nxjerrin si të majtë.

Këtë e ka bërë edhe midis fushatës zgjedhore, siç ishte mitingu i së mërkurës i mbajtur në qytetin e Therandës.

Në prezantim e sipër, moderatori ka përmendur edhe emrin e veprimtarit, të burgosurit politik dhe folkloristit Destan Sejdi Bajraktari (1930-2005).

Kjo ka ngacmuar pasardhës të familjes të reagojnë për, siç kanë thënë, përdorim të turpshëm e të padurueshëm të një personaliteti antikomunist në fushatën e një partie të majtë.

“Ata nuk luftuan për ide marksiste”

Mbesa e Destan Bajraktarit, Blerta Obertinca, ka tërhequr vërejtjen se gjyshi i saj qe burgosur për shkak të ideve të tij antimajtiste dhe antikomuniste.

“Gjyshi jem ka pas shumë të mira, ka qenë në NDSH, mësues i parë në Komunën e Suharekës ku ka eduku gjenerata e gjenerata, ka qenë mbledhësi më i madh i folklorit në Kosovë, me tërë atë dijeni që ka pasë, për shkak ideve anti-jugosllave, anti-majtiste dhe anti-komuniste nuk ka pas të drejtë (pasi u liru nga burgu) me ushtru më punën e mësuesit në Kosovë. Ama këto të mira i ka pasë për vete, jo për fushatë të LVV. Dhe LVV në asnjë tubim nuk ka të drejtë me ja laku emrin sepse programi tyre nuk përputhet me asnjë ide të gjyshit tem”, ka shkruar Obertinca në një reagim në llogarinë e saj në ‘Facebook’.

Ajo ka përkujtuar se gjyshi i saj, Destan Bajraktari, ishte ithtar i demokracisë amerikane, duke shtuar se ai kurrë nuk luftoi e as ëndërroi për një Kosovë të udhëhequr nga një parti me program dhe ide revolucionare majtiste-leniniste si Vetëvendosja.

“Po të ishte gjallë Destan Bajraktari ish tmerru me kuptu që partia e cila në radhët e saj e ka Faruk Mujkën e partisë JUL (të Mira Marković, gruas së Milloshevićit) e plot disa nipa/mbesa e fëmijë të ish-klikës komuniste jugosllave që kanë torturu shqiptarë me ja përmend emrin në fushatë”, ka shkruar, mes të tjerash, Obertinca.

I lindur më 17 prill 1930 në Therandë, në gjirin e një familje të dëshmuar atdhetare, Destani qysh i ri pësoi nga autoritetet e asokohshme jugosllave. Si shkas për përndjekjen, dhe më pas burgosjen e tij, u bë të qenit anëtar i NDSh-së nga Grupi i Therandës.

Me emrin e Destan Bajraktarit lidhen përpjekjet për përhapjen e mësimit shqip në anët e Therandës, por edhe në rrethin e Shkupit; në të vërtetë, ai kishte qenë mësuesi i parë i diplomuar.

Me 1959, organet jugosllave e dënuan me 5 vjet e gjashtë muaj burgim. Pos torturave e dhunës fizike e psikike, mësuesit Bajraktari ia zhdukën një mori shënimesh me vlera etnografike e folklorike.

Manipulime në kurriz të organizatave nacionaliste


Kjo nuk është hera e parë kur eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje zihen duke i keqparaqitur si të majtë veprimtarë të organizatës antikomuniste në Kosovë e viset e tjera shqiptare ‘Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare’, e njohur më fort me akronimin e saj si NDSh.

Kjo ishte bërë hiç më larg se në dhjetor të vitit të kaluar kur në komunën e Kamenicës, me rastin e 38-vjetorit të vdekjes, u zbulua përmendorja e aktivistit Metush Krasniqi.

Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, kryeministri Albin Kurti e kishte vlerësuar Krasniqin si figurë historike që la një trashëgimi politike që e përfaqëson sot komuna e Kamenicës.

“Duke e ngritur këtë vepër të artit publik këtu në Kamenicë, ne jo vetëm që po nderojmë personalitetin e Metush Krasniqit, por edhe po e soldifikojmë figurën historike që përfaqëson ai, duke e rrënjosur në mënyrë permanente në Kamenicë traditën politike të cilës i përkiste Metushi dhe trashëgiminë e tij politike të mbetur mes nesh”, pati thënë Kurti.

Në të vërtetë, Kurti nuk i kishte zënë në gojë dimensionet e vërteta të trashëgimisë politike të Krasniqit. I lindur më 1928 në Dajkoc të Kamenicës, ai qysh në vitet ’50 kishte themeluar organizatën ilegale ‘Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë’.

Më 1958, Krasniqi do të dënohej me 18 vite burgim, prej të cilave i mbajti tetë. Edhe pas lirimit nga burgu, ai do të përfshihej në organizime ilegale të rezistencës duke afruar rreth vete të rinj me ide të ngjashme.

Kushtrim Krasniqi, nipi i Metushit, e kishte kujtuar gjyshin e tij si njeri që nuk kishte simpati për organizatat komuniste të kohës.

“Shumë nga organizatat kishin koncepte komuniste, ishin të lidhura me regjimin komunist në Shqipëri, lidhjet i kishin shumë të forta, dhe natyrisht regjimi shqiptar nuk e përkrahi gjyshin tim, i cili ishte demokrat, properëndimor, shkurt ishte halë në sy për regjimin e Shqipërisë”, kishte thënë ai.

Kulmim i këtyre përpjekjeve ishte themelimi më 1976 i organizatës ‘Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi’— pesë vite më vonë, UDB-ja do ta arrestonte më 4 nëntor 1981.

Burgimi i tij i tretë me radhë ishte ai më 4 nëntor 1985. Pas më shumë se gjysmë viti mbajtje në burg, ai u lirua më 16 qershor 1986. Megjithatë, prej rrënimit të plotë të shëndetit gjatë kohës sa u torturua, ai vdiq vetëm disa muaj pas lirimit nga burgu.

Jo komunizmit, Po Shqipërisë të lidhur me Perëndimin


Rrënjët e NDSh-së u hodhën, në fakt, në vitet e Luftës së Dytë Botërore me rastin e themelimit të ‘Komitetit Nacional Demokratik’ nga veprimtarë si Halim Spahija, Selman Riza, Hasan beg Kryeziu dhe Hasan Rema.

Qysh në themelimin e saj, organizata merrte përsipër bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të cilën e shihte të mundur përmes mbështetjes nga demokracia angloamerikane.

Nga programi i kësaj organizate nuk bëhet asnjë aludim te një formë qeverisëse apo regjim që anon kah komunizmi. Përkundrazi, shumica e tyre ishin mbështetës të një regjimi demokratik e properëndimor.

Prej 1945-s e tutje pati themelime degësh lokale të NDSh-së në gjithë shtrirjen e Kosovës dhe në pjesë të caktuara të Maqedonisë.

Se kjo rezistencë po bënte për vete pjesëtarë të inteligjencës së asaj kohe dhe të rinjve shqiptarë flet më së miri shqetësimi i autoriteteve jugosllave.

Në një relacion të vitit 1953 që UDB-ja ia dërgonte Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Maqedonisë, thuhej mes të tjerash:

“Inteligjenca e cila erdhi gjatë kohës së okupacionit dhe ajo që erdhi pas çlirimit, ishte drejtuesja e më shumë ngjarjeve irredentiste dhe shoviniste. Nga këto mësues u krijua organizata Nacional Demokratike Shqiptare. Mendimet e veta shoviniste dhe irredentiste mësuesit i përcjellin sistematikisht dhe me shkathtësi te shtresat. Vetë detyra e NDSH-së ishte: restaurimi i së vjetrës me ndihmën e perëndimit për krijimin e Shqipërisë së Madhe”.

Glorifikimi i Bujanit – heshtja e Lidhjes së Dytë të Prizrenit

Sidoqoftë, shumë më e preferuar për Lëvizjen Vetëvendosje është Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944).

Nga 49 përfaqësuesit që morën pjesë në të, pjesa dërmuese e tyre ishin njerëz me afiliacione komuniste, dhe prej tyre 13 ishin përfaqësues serbë.

Vitin e kaluar, kryeministri Kurti e kishte vlerësuar këtë mbledhje si ‘determinuese’ për statusin politik të Kosovës anipse ajo nuk ishte përfillur fare nga Partia Komuniste Jugosllave.

“Konferenca e Bujanit u mbështet në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe e artikuloi vullnetin politik të shqiptarëve në një kohë vendimtare. Si e tillë kjo mbledhje historike pati rol determinues në statusin politik të Kosovës dhe u bë një ngjarje referenciale edhe në periudhat e mëpastajme e deri më sot”, kishte thënë Kurti.

Në përpjekjen e Vetëvendosjes për ta inxhinieruar një narrativë të re që i ngre në qiell organizimet komuniste (që ishin më tepër jugosllave sesa shqiptare), bie në sy edhe prania e shpeshtë e nënkryetares Mrika Limani-Myrtaj. Ajo, njëherazi, është bashkëpunëtore e lartë shkencore e Institutit të Historisë ‘Ali Hadri’.


Instituti i Historisë në vallen e Vetëvendosjes

Me sa duket edhe vetë ky Institut është bërë pjesë e përpjekjeve të partisë në pushtet që Konferenca e Bujanit të prioritarizohet si ngjarje.

E tillë kishte qenë konferenca shkencore e mbajtur me 8 dhjetor 2023 me titull “Konferenca e Bujanit: Retrospektiva dhe Rezultatet Historike”.

Një vit më vonë, prurjet e kësaj konference u botuan në formë të një libri, si botim i Institutit të Historisë, me kotribues si: Ana Lalaj, Fehmi Rexhepi, Sabile Keçmezi-Basha, Marenglen Verli, Mrika Limani-Myrtaj, Hamit Kaba, Alban Dobruna, Parim Kosova, Jeton Idrizi, Beqir Meta, Haxhi Ademi, Hysen Matoshi, Nuridin Ahmeti, Zelije Shala dhe Shefqet Dinaj.

Në të vërtetë, Konferenca e Bujanit, e mbizotëruar prej komunistësh, ishte një reaksion ndaj Lidhjes së Dytë të Prizrenit (shtator 1943).

Asokohe, pas rënies së Italisë së Musolinit dhe disfatave të Bullgarisë monarkiste, në viset shqiptare lindore u krijuan pushtete vetëqeverisese lokale shqiptare që hyn nën juridiksionin administrativ të Tiranës.

Elementët nacionalistë shqiptarë të kohës prej Mukjes deri në Prizren kishin afirmuar që shqiptarëve t’u njihej e drejta e vetëvendosjes duke e përfilluar kriterin etnik.

Kështu, fiksimi i Lëvizjes Vetëvendosje me Konferencën e Bujanit është një vetëdeluzion për ta parë në këtë mbledhje precedantin e vet historik.

Prej së paku 2009-s, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar shënime edhe për Lidhjen e Prizrenit si dhe për Lidhjen e Pejës — e parë kjo edhe si përpjekje për ta projektuar veten diçka mes ‘nacionalizmit’ dhe ‘internacionalizmit’.

Lajme të ngjashme