“Veterani” Veliaj, “gishti i mesit” i Këlliçit dhe majtisti Qori: Kush po garon për Tiranën në zgjedhjet e 14 majit? - NACIONALE

“Veterani” Veliaj, “gishti i mesit” i Këlliçit dhe majtisti Qori: Kush po garon për Tiranën në zgjedhjet e 14 majit?

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Zgjedhjet vendore në Shqipëri do të mbahen me 14 maj. Vemendjen kryesore të fushatës, natyrshëm, e ka kryeqyteti, Tirana. Kandidatët për Tiranën janë të ndryshëm dhe janë tejet interesant, gjë e cila e ka bërë garën edhe më të fortë, edhe më joshëse për publikun, por njëherit edhe më pak të predikueshme se kush do të triumfojë në mes të muajit maj.

Që në krye të herës, duhet cekur një fakt jo aq i mirë: të gjithë kandidatët për Tiranën janë burra. Ndonëse Qeveria e Edi Ramës është më shumë se gjysma me gra, në Tiranë të tre kandidatët janë burra, duke e lënë një shije të hidhur për platformën feministe të emancipimti politik.

Partia Socialiste sërisht e ka kandiduar Erion Veliajn, që është edhe kryetar aktual i Tiranës, ndërsa kundërkandidatë të tij janë dy burra të tjerë. Për koalicionin “Bashkë Fitojmë” të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë kandidon Belind Këlliçi, i cili ka marrë vemendjen për një fushatë elektorale jo konvencionale.

Gjithashtu një kandidat jo i zakonshëm (përkrahësit e tij do të thonin i jashtëzakonshëm) është edhe profesori me bindje të majta, Arlind Qori.

Kandidatët

Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën është aktualisht kryetar i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili po kandidon për mandatin e tij të tretë. Herën e parë ishte zgjedhur në vitin 2015. Veliaj, përveç qeverisjesë së diskutueshme me Tiranën, tashmë i mungon edhe energjia e të resë. Shumë e kuptueshme, 8 vite në pushtet duket ta kenë lodhur Veliajn, por nuk përjashtohet mundësia që edhe elektorati tiranas të jetë lodhur nga ai.

Veliaj ka një karrierë të gjatë në politikë, pasi përveç kryetar i Tiranës, ai ishte edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Andaj, me shumë meritë e mban termin “veterani” i garës së Tiranës.

Partia Socialiste e Edi Ramës, në këto zgjedhje kandidon nën sloganin “Vetëm përpara, kurrë mbrapa”.

“Forca, bashkë edhe një 4-vjeçar tjetër për t’i çuar punët PARA.” - ka shkruar sot në Facebook Veliaj, në kuadër të fushatës zgjedhore.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i Partisë Demokratike të Sali Berishes dhe Partisë së Lirisë së Ilir Metës, është Belind Këlliçi. Për dallim nga Veliaj, z. Këlliçi është riosh në politikën nacionale të Shqipërisë, pasi ai u zgjodh deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2021.

E si i ri në politikë, ai ka bërë edhe një hyrje absolutisht spektakolare në fushatën për Tiranën. Më saktëisht, Këlliçi po komentohet shumë për posteret e vendosura në Tiranë. Në fotografinë e publikuar nga Këlliçi, ai shihet me dy duart duke treguar gishtin e mesit.

Kam një mesazh për këdo që abuzon me taksat e qytetarëve të Tiranës!” – ka shkruar ai.

Ndonëse i ri në politikë, besohet së Këlliçi është njeriu kryesor që do të sfidojë veteranin Veliaj për garën në Tiranë.

Një parti e re politike ka lindur në Shqipëri së fundmi, që thotë se do t’a kthejë shpresën shqiptarëve, Lëvizja Bashkë. Nga kjo forcë e re politike, kandidat për Tiranën do të jëtë pedagogu i Shkencave Politike, Arlind Qori, që ishte bërë i njohur për përkrahjen e protestës së minatorëve në Shqipëri.

Lëvizja Bashkë, si parti e majtë, e kuptueshme, në qendër ka njerëzit e punës.

Siç e keni vënë re, fushata e Lëvizjes BASHKË është e pasur në ide, po tejet modeste në mjete e shpenzime. Ne shkojmë derë më derë me disa fletushka të thjeshta dhe marrim autobusin kur duhet të udhëtojmë gjatë”, ka shkruar ai në Facebook, në fushatën e tij për Tiranën.

Në fakt, nuk dihet saktësisht cila është fuqia e z. Qorit, megjithatë hyrja e tij në garë është parë si një ngjarje interesante në zgjedhjet e 14 majit.

Lajme të ngjashme