Vetëm edhe pesë ditë mandat për Lekën si Kryeprokuror, çka pastaj? - NACIONALE

Vetëm edhe pesë ditë mandat për Lekën si Kryeprokuror, çka pastaj?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 21 prill, Aleksandër Lumezi do të katë ditën e fundit si Kryeprokuror i Shtetit. Pas gjashtë vjetësh, ai do të largohet nga kjo pozitë, megjithatë me shumë gjasë, pa e ditur se kënd do ta ketë pasues. Arsye për këtë është një valë e gjatë reagimesh, të cilën ua sjell të përmbledhur gazeta Nacionale.

Intervistat kanë përfunduar. Edhe poentimi nga Këshilli Prokurorial po. Megjithatë, ende nuk dihet se kush do të jetë Kryeprokuror i ardhshëm. Kjo pasi i gjithë procesi është kundërshtuar nga shoqëria civile e partnerët ndërkombëtarë. Megjithatë, Aleksandër Lumezit mandati i skadon më 21 prill, dhe duket se pozita e Kryeprokurorit do të mbetet me ushtrues detyre. Kjo pasi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ende nuk e ka dekretuar emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror. Paraprakisht, Osmani ka thënë se ka nevojë për disa konsultime.

“Duke ditur rëndësinë e këtij procesi, Zyra e Presidentes ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me këtë proces. Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi. Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit”, thuhej në përgjigjen e Presidencës për Nacionalen.

Nëse deri më 21 prill nuk dekretohet emri i Blerim Isufajt, atëherë Këshilli Prokurorial duhet të vendosë për një emër që do të jetë ushtrues detyrë, që praktikisht mund të jetë gjithashtu Isufaj. Nëse një gjë e tillë ndodhë, atëherë konkursi mund të rishpallet, dhe i gjithë procesi të nis nga pika 0. Kështu ka kërkuar edhe shoqëria civile.

SI SHKOI KONKURSI?

Garës për Kryeprokuror i hynë pesë persona: Blerim Isufaj, Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Shqipdon Fazliu dhe Lulzim Sylejmani. Nga intevistimet e transmetuara në televizionin publik të Kosovës, më i vlerësuari doli Isufaj me 98 pikë. Megjithatë, kandidatët e tjerë e shfrytëzuan të drejtën e ankesës. Pavarësisht se komisioni kishte gjetur disa shkelje në vlerësim, Këshilli Prokurorial me shumicë votash vendosi ta dërgojë te presidentja emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror.

Gazeta Nacionale ka raportuar në vazhdimësi se Lëvizja Vetëvendosje ka synuar që përzgjedhja e Kryeprokurorit të bëhet me Ligjin e ri për Këshillin Prokurorial. Kjo pasi, sipas ligjit të ri, numri i anëtarëve në KPK nga 13, bëhet 6. Sipas ligjit të ri, dy anëtarët joprokurorë të cilët zgjedhen nga Kuvendi, e kanë mundësinë ta bllokojnë secilin votim që bëhet në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Megjithatë, kjo duket ende larg.

Nëse vetëm ndodhë që Kosova të mbetet pa Kryeprokuror, do të jetë një nga rastet e rralla kur presidenti nuk e dekreton një gjyqtar/prokuror. Një rast kishte ndodhur kur ish-presidentja Atifete Jahjaga nuk e kishte dekretuar gjyqtarin Enver Shabanaj. Megjithatë, pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës e dërgoi sërish emrin e Shabanajt, Jahjaga e kishte dekretuar.

VALË REAGIMESH

Për emrin e Blerim Isufajt reaguan i madh e i vogël. Vendorë e ndërkombëtar.

Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërimin e tij, pas organizatave joqeveritare që e kanë monitoruar procesin, është kritikuar edhe nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Zyra e Bashkimit Evropian e ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, në një reagim në Tëitter, ka thënë se procesi i zhvilluar ka dëmtuar besimin e SHBA-së në Këshillin Prokurorial.

“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard. Shtetet e Bashkuara nuk kishin një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi gjykuar kualifikimet e kandidatëve individualë. Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK si institucion publik”, ka thënë Jeffrey M. Hovenier, aAmbasador i ShBA-së në Kosovë.

Sipas vërejtjeve nga shoqëria civile, paneli ka vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar e trajtuar ata në mënyrë të pabarabartë, si dhe se KPK-ja ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të sqarojë e të sigurojë për integritetin e kandidatit për kryeprokuror të shtetit.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szynoyg, është shprehur i zhgënjyer me veprimet e KPK-së.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të kryeprokurorit të shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, u shpreh Tomas Szuynog.

Derisa ka shpërndarë reagimin e Szunyog, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, të enjten ka thënë po ashtu se zgjedhja e Isufajt është zhgënjyese.

“Kjo vërtet është zhgënjyese dhe jomënyrë për të ecur para. Veçanërisht kur edhe organizatat joqeveritare të njohura në Kosovë, si IKD e GLPS, shprehin shqetësimin e njëjtë”, tha Rohde.

E në Ambasada e Britanisë së Madhe thanë se shpresojnë që KPK-ja të zbatojë rregulloren e tyre. Nga kjo ambasadë janë shprehur të gatshëm që të bashkëpunojnë sërish me Këshillin Prokurorial, nëse këta të fundit janë të gatshëm të përfshihen në projektin e rekrutimit.

Por, me reagimet nuk pajtohen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës thekson se ky proces është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivet, me transparencë, me gjithëpërfshirje dhe është bazuar në meritokraci. Propozimi për emërim në pozitën e kryeprokurorit të shtetit të z. Blerim Isufaj do të dërgohet për dekretim te presidentja e Kosovës sipas afateve të parapara ligjore”, thuhej në përgjigjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Lajme të ngjashme