Veriu në barrikada 'serbe', VV-ja vazhdon 'barrikadimin' e institucioneve me të afërm
Situata në veri s`po e pengon Qeverinë Kurti në emërimin e militantëve të VV-së në poste publike.
Tensionet në veri të vendit nuk e kanë penguar Qeverinë e Kosovës në ‘rehatimin’ e përkrahësve dhe militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër poste të larta publike.
Vetëm në javën e parë të përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të vendit, Ekzekutivi ka emëruar disa zyrtarë partiakë në pozita të larta në ndërmarrje dhe institucione publike.
Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovaconit, KQZ-ja dhe "Ibër - Lepenci" kanë qenë vetëm disa nga institucionet ku në fillim të këtij muaj janë punësuar përkrahës dhe militantë të partisë në pushtet.
Me veprime të tilla Qeveria e Kosovës ka vazhduar edhe sot, e martë, ku në mbledhje të kabinetit qeveritar është emëruar në pozitën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Arsimit, Fadile Dyla, e cila është mbesë e deputeti të VV-së, Jahja Kokajt.
Para kabinetit qeveritar, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka treguar se për këtë pozitë kanë aplikuar pesë persona, ndërsa katër prej tyre kanë qenë në listë të ngushtë.
Ai ka thënë se pas vlerësimit nga komisioni vlerësues, Fadile Dyla dhe Xhavit Dakaj ishin dy kandidatët me mbi 70 për qind.
“Propozojmë emërimin e Fadile Dyla për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në MASHTI-it për një mandat 4-vjeçar,” - ka thënë ai, derisa kabineti ka miratuar propozimin e tij.
Kur Dylaj ishte caktuar si ushtruese e detyrës së sekretares së përgjithshme në këtë institucion, deputeti Kokaj kishte mohuar se ka ndikuar në këtë proces.
“U kyça në politikë sepse mendoi se Vetëvendosje është ajo që do ta luftoi korrupsionin, dhe do të kontribuojë me duart e pastërta, unë jam ai që kërkoi me mish e me shpirt që të luftohet korrupsioni dhe nepotizëm. Sa i përket mbesës sime ajo është e punësuar në MInistrinë e Arsimit që mbase 20 vite”, kishte thënë Kokaj në Kanal10.
Mbështetësi i VV-së merr pozitë të rëndësishme në KQZ
Një ditë më parë, mbështetësi i VV-së, Besnik Buzhala, është zgjedhur drejtor i Zyrës për Çertifikimin e Subjekteve politike në KQZ.
Aktivisti i PSD-së, Frashër Krasniqi, ka thënë se Buzhala në këtë pozitë është zgjedhur vetëm për shkak të afërsisë që ka me deputetin e VV-së, Adnan Rrustemin.
“Ndërkohë që Albin Kurti po bën filma në veri, para se më bë lëshim pe në krejt marrëveshjet me Serbinë, në Prishtinë po vazhdon kapjen e shtetit. Sot e kanë bërë drejtor në zyrën për certifikimin e subjekteve dhe kandidateve në KQZ, Besnik Buzhalën, i cili është mbështes i Vetëvendosje, mik i afërt me deputetin e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemin dhe asamblistin e Vetëvendosjes në Lipjan, Alban Salihu. Shihni qysh nuk po shkon asnjë javë që VV nuk po i kap ka 2-3 institucione”, ka thënë Krasniqi në një video të publikuar në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, këto veprime tregojnë se qasja e Kurtit është kapja e të gjitha institucioneve.
“Pra, nuk janë duke lënë asnjë institucion pa e shtri kontrollin e tyre. Kjo është çkapja e VV-së për të cilën ka folur Albin Kurti? Kjo është çkapja e shteti me të cilën këta kanë ardhur në pushtet. Kjo faktikisht është kapja e çdo institucioni për synimet autoritare të Albin Kurtit”, ka thënë Krasniqi.
Faruk Mujka zgjidhet kryeshef në "Ibër - Lepenc"
Ditë me parë, partia në pushtet ka “kapur” edhe NHE "Ibër – Lepenc”.
Drejtor i ndërmarrje publike është zgjedhur Faruk Mujka, i cili ka qenë kryetar i degës së LV-së në Mitrovicë dhe ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.
Për zgjedhjen e tij, Mujka ka mohuar se ka ndikuar përkatësia e tij politike.
“Nga, nesër filloj detyrën e re, Kryeshef Ekzekutiv në NHE "Ibër - Lepenc", ndërmarrje tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Vend ideal për të kontribuar dhe treguar aftësitë e duhura menaxhuese në përputhje me pritjet e qytetarëve. Falemnderoj nga thellësia e zemrës të gjithë ata që më kanë besuar, përkrahur dhe mbështetur gjatë këtyre viteve nga sfida në sfidë”, ka shkruar Mujka.
Kandidati për zëvendës të Avokatit të Popullit familjar i sekretarit të VV-së
Në fillim të këtij muaji, Kallxo.com ka raportuar se kandidat për zëvendës të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve joshumicë është Admir Rama.
Ky i fundit, sipas kësaj medie, është familjar i sekretarit organizativë të LV-së, Alim Ramës, i cili është edhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e kësaj partie.
Albin Rama për kallxo.com ka mohuar se ka pasur ndonjë ndikim në këtë proces.
Këto janë vetëm disa nga përkrahësit e VV-së që këtë muaj janë rahatuar nëpër institucione publike.
E gjithë këto zhvillime kanë ndodhur në kohen kur situata në veri të vendit është tensionuar. Përpjeka e institucioneve të Kosovës për t`i mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore, ka nxitur reagimin e grupeve të organizuar kriminale, duke hedhur dhjetëra shok-bomba në atë pjesë. Prej këtyre sulmeve nuk është kursyer as Policinë e Kosovës. Nga këto sulme deri me tani është plagosur lehët një policë dhe janë shkaktuar shumë dëme materiale. Arrestimi i një ish-policie, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet që kanë dëmtuar zyrat e KQZ-së në veri, ka nxitur reagime të reja të serbëve. Nga dita e shtunë ata bllokuar rrugët kryesore në veri.


