Vendimi për Manastirin u zbatua: A mund të bëhet Asociacioni kusht i ri për anëtarësimin e Kosovës në KiE? - NACIONALE

Vendimi për Manastirin u zbatua: A mund të bëhet Asociacioni kusht i ri për anëtarësimin e Kosovës në KiE?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Republika e Kosovës këtë javë ka përmbushur kushtin kryesor për anëtarësim në Këshill të Evropës. Me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, Kosova ia ka hapur vetes derën për anëtarësimin më të rëndësishme të viteve të fundit.

Por, vonesat në zbatimin e këtij vendimi mund të kenë rritur hezitimin të disa shtete anëtare të kësaj organizate.

Njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se kjo mund të nxitë vendet anëtare që Kosovës në këtë rrugë t`i vendosin kushte të reja.

Në këtë drejtim, është përmendur se edhe çështja e Asociacionit mund të bëhet kusht i ri për Kosovën.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, nuk e ka përjashtuar këtë mundësi.

Ka mundësi. Nuk kam dëgjuar se është kusht(Asociacioni). Por, është kusht i ShBA-së dhe BE-së. Këshilli i Evropian ka 47 shtete, momentalisht është e pezullua Rusia, por duhet me pasë parasysh që në Këshill të Evropës financimin më të madh e bëjnë Rusia dhe Turqia”, ka thënë Haliti në emisioni “Prime” në RTK.

Edhe analisti Visar Ymeri ka paralajmëruar mundësinë e vendosjes së kushteve të reja në këtë rrugëtim.

A është ky vendim i lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KE? Absolutisht që po. Veç nuk është tash i lidhur, ka qenë i lidhur prej fillimi, veçanërisht prej ardhjes së Kurti në pushtet. Çka ndodhi me ardhjen e Kurtit në pushtet, dhe jo për shkak të tij filloj lufta në Ukrainë, përjashtohet Rusia dhe hapet një rrugë e mirë për anëtarësimin e Kosovës në KE, që i bije se zbatimi i këtij vendimi si një prej hapave cilësor drejt KiE-së bëhet shumë më i rëndësishëm. Prandaj kemi pasë kërkesë të vazhdueshme të ambasadorëve perëndimorë ndaj Qeverisë së Kosovës që me e zbatu këtë, meqë jemi vonuar dhe e kemi pritur momentin e fundit. Mos të ish aprovuar ky vendim dje, nuk ishe hy ti në këtë agjendën e majit që ka gjasë më hy e nuk jam i sigurt a hyjmë”, ka thënë Ymeri në emisionin “Debat Plus”.

Ai ka shprehur brengen e tij se hezitimi i madh i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit mund të sjell probleme në këtë proces.

Sipas tij, kjo mund t`i shtyjë disa shtete anëtare të vendosin kushte të reja.

Tash çka ka ndodh? Në ndërkohë në proces, disa prej vendeve mbështetëse të Kosovës në KiE kanë filluar nga pak me u ftohë nga vota e tyre “për”. Pse? Sepse janë ballafaquar me një paparashikueshmeri dhe një jo sinqeritet politike nga qeveria që thonë pastaj ngadalë se janë edhe disa gjera tjera si kritere për Kosovën të cilat na kemi mëndu me i vendos si kritere që do të përmirësohen gjatë anëtarësimit më pas, të cilat tash mbase duhet me ia paraqitur si parakusht. Pra, vonese në këtë mundet me na qit kritere shtesë për KE, shumë po shpresoj që nuk ka qesin”, ka thënë Ymeri.

Qeveria mendon ndryshe

Mëndin tjetër ka Qeveria e Kosovës. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka bërë me dije se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe nuk pritet të ketë ndonjë problem në këtë drejtim.

Po, tash presim që hapi i radhës të jetë në periudhën e fundit të këtij muaji, që të paraqitet raporti i Bakojanit në komitetin për çështje politike dhe demokraci, ky komitet funksionin si komision parlamentar te ne. Pasi të miratohet atje raporti në formën e opinionit të shkojë në asamblenë parlamentare në javën e 15 prillit, me 2 të 3 e votave pritet të votohet suksesshëm. Ky i shkon si opinionin pozitiv ministrave të jashtëm, në javën e 13 majit pritet të votohet me dy të tretat dhe t’i dërgohet ftesa Kosovës të bëhet anëtare”, ka thënë ai për emisionin “5” të RTVDukagjini.

Edhe profesori i shkencave politike, Artan Mustafa, mendon njëjtë.

Ai nuk beson se Asociacioni do të jetë kush i ri në këtë proces. Sipas tij, Asociacioni do të jetë kush vetëm për rruge evropiane të Kosovës.

Rezistenca e Kosovës i ka dhënë disa rezultate, ndarja e temës së Manastirit dhe Asociacionit. Tema e Manastirit po lidhet me integrimin në KiE, kurse tema e Asociacionit, lidhur me premtimit që Kosova mund ta fitojë vendin kandidat për BE”, ka thënë Mustafa për emisionin “5” të RTV Dukagjinit.

Komiteti i Këshillit të Evropës për Çështjet Politike dhe Demokraci mblidhet më 27 mars. Në këtë mbledhje, ky këshill pritet të votojë opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis.

Lajme të ngjashme