Vendimi për hapjen e Urës së Ibrit "nuk mori kurrë përgjigje", ministri "nuk e di" - NACIONALE

Vendimi për hapjen e Urës së Ibrit "nuk mori kurrë përgjigje", ministri "nuk e di"

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Nuk e di nëse duhet të kemi vlerësim të ligjshmërisë”.

Kështu na tha Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në një përgjigje të ngutshme për Nacionale pyetur se “çka u bë me trajtimin e ligjshmërisë” së vendimit të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut për hapjen e Urës së Ibrit në prill të vitit 2023; vendim ky që ishte marrë prej të parëve kur qeverisjen e mori Lëvizja Vetëvendosje në atë komunë të banuar me shumicë serbe.

Krejtësisht në kundërthënie me veten, Krasniqi u shpreh që “nuk e di” ndonëse mu ato kohë (maj, 2023) ishte shprehur para gazetarëve se këtë vendim e ka në tryezë të tij dhe se “po kontrollojmë ligjshmërinë e vendimit”.

Deklarata në maj (2023) e Elbert Krasniqit: “Ky vendim është në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në kontrollim të ligjshmërisë dhe proceseve administrative. Porsa të përfundojë ky vlerësim, ajo do të jetë në tryezën time dhe më pastaj unë do të vazhdojë me procedimin e tij”.

Ne ia risollëm ndërmend këtë deklaratë Krasniqit, por ai na tha “dërgoma me email...ju përgjigjem menjëherë”; por që deri në publikimin e këtij teksti nuk na ka arritur kurrëfarë “përgjigje e menjëhershme” nga ministri.

Kjo temë u rikthye në diskursin publik pasi Zëvendës Drejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, tha se hapja e Urës së Ibrit “është çështje kohe”; por, pa specifikuar më tej se kur-dhe-qysh?

E kontaktuam Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin për ta pyetur për vendimin e marrë nga institucioni që ai e drejton.

Prej ministrisë kurrëfarë përgjigje nuk kemi marrë”, tha Ugljanin në një prononcim për Nacionalen, teksa na shpjegon se vendimi si i tillë ka kaluar në prill të 2023’ës.

Sipas Nenit 81, Pika 4 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, “autoriteti mbikëqyrës obligohet që të jep mendimin e tij për ligjshmërinë e çdo akti të regjistruar brenda 15 ditësh nga pranimi i tij, në pajtim me procedurat e përmendura më lartë”.

Por, çka ndodh nëse brenda 15 ditësh (janë bërë më shumë se një vit) autoriteti mbikëqyrës – në këtë rast MAPL-ja – nuk kthen përgjigje?

Vetë MAPL ka përpiluar rregullore për situtatë të tillë: “Në rast se organi mbikëqyrës nuk ia kthen shqyrtimin e ligjshmërisë aktit të komunës brenda 15 ditësh nga dita e pranimit...akti i komunës konsiderohet i ligjshëm.

Ju e dini që sebeb situatës dhe ndërkombëtarëve që kanë ndërhy...sepse edhe ne kemi pas telashe që bashkësia ndërkombëtare na ka thënë ‘pse jeni ngut, pse e morrët këtë vendim?’. Ne veç kemi dashtë vetëm lëvizje e lirë...dhe sinqerisht dhe konkretisht po ju them: kurrëfarë përgjigje s’kemi marrë as prej MAPL as prej MB-së”, tha Nexhat Ugljanin.

Duke iu referuar deklarimeve të fundit të Bashkimit Evropian, ai thotë se tash kjo çështje “po kërkohet të trajtohet brenda dialogu”.

Nacionale: Mirë mirë zoti Ugljanin, por ju këtë e keni ditë kur e keni marrë vendimit, por e morrët vendimit pavarësisht...

Ugljanin: Po po e kemi nxjerr për lëvizjen e lirë, ne e dimë sepse popullata u msu me tensionime...tash qysh të veprojnë MB dhe Policia.

Vetëvendosja me të marrë pushtetin në Mitrovicë të Veriut – me një legjitimitet skajshmërisht të ulët – kishte bërë hapin më simbolik të marrjes së vendimit për hapjen e urës ikonike që ndan qytetin e Mitrovicës etnikisht në dysh. Titujt nëpër media vërshonin. Por, tash një vit, asgjë prej saj.

Misioni i KFOR-it i pati thënë ato ditë Nacionales se hapja e urës duhet të bëhet vetëm përmes dialogut, dhe jo ndryshe. “Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik”, thonin ata.

Çka ka thënë Veton Elshani ditëve të fundit?

Unë e konsideroj që është vetëm në pyetje koha se kur kjo urë do të hapët dhe si do të hapet. Një herë e patëm përmend që ka mundësi me u hap ura dhe me u mbushë me autoblinda në një farë vendi, por jemi duke e diskutu me eprorët tanë se si ka mundësi të bëhet kjo”.

“Unë konsideroj se nuk ka më vend për brengosje për qytetarët e veriut të vendit. Forma se si do të hapet është pak më ndryshe, por unë konsideroj që shumë shpejt do ta kemi edhe urën e hapur”, ka deklaruar Elshani për Tëvë1.

Lajme të ngjashme