Vendimi burokratik i MAShT-it për tekstet shkollore: Qytetarët raportojnë për probleme teknike në aplikimet për subvencionim
Vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Teknologjisë për mbulimin e kostos së teksteve për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën është shoqëruar me reagime aspak pozitive për shkak të një sërë shqetësimesh. Në opinionin publik janë ngritur disa çështje, përfshirë edhe ajo e mënyrës se si do të realizohet mbulimi i kostos së teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit, e veçanërisht transferimi i fondeve në llogaritë bankare të prindërve që mund të jetë problematik për shumë arsye. Shqetësim shtesë për prindërit po rezulton edhe aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore, ku shumë qytetarë po raportojnë se kanë hasur në vështirësi teknike gjatë procesit.
Ditë më parë Ministrja e MAShT-it, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se është vendosur të ndryshohet qasja e zakonshme e pajisjes së shkollave dhe nxënësve me libra, duke lënë prindërit që të blejnë vetë librat gjatë këtij viti shkollor, ndërsa ministria premtoj kompensim të kostos më pas.
Ky vendim krejtësisht i papritur habiti opinionin publik duke akuzuar MAShT-in se një vendim i tillë ishte krejtësisht i panevojshëm, më burokratik se sistemi i mëparshëm dhe jashtëzakonisht problematik kur merret parasysh mirëqenia e dobësuar sociale e shoqërisë kosovare pas krizës ekonomike që karakterizoi vitet e kaluara.
Qytetarët ankohen për probleme teknike në eKosova
Që nga dje, aplikimi për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore është i hapur.
Në platformën online e-Kosova janë publikuar dy linka ku prindërit mund të aplikojnë për rimbursim për librat shkollorë.
Në njërin link mund të aplikojnë prindërit që fëmijët e tyre janë në klasën 1 deri në të 5-tën, ku do të subvencionohen me shumën prej 80 euro, 50 për libra dhe 30 për pajisje të tjera mësimore.
Ndërsa linku tjetër i përket klasave nga 6 deri në të 9-tën, ku do të rimbursohen vetëm me 30 euro për pajisje shkollore, pasi që librat do t’i marrin nga gjeneratat e kaluara.
Ndonëse Taulant Kelmendi, Zevendësministër i Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka njoftuar sot se në platformën eKosova se deri në orën 16:00 janë pranuar 32 mijë e 800 aplikime për subvencionim të teksteve, një numër i madh i qyetarëve po raportojnë se hasin në probleme teknike rreth aplikimit për subvencionim të teksteve në platformën eKosova.
Në këtë kontekst, Nacionale ka bërë një sondazh në Facebook me pyetjen "Pyetje:A keni probleme teknike në eKosova për të aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore?"
Nga 269 votues të deritanishëm, 312 apo 79 për qind prej tyre janë shprehur se po hasin probleme teknike në aplikim, ndërsa 67 apo 16 për qind janë shprehur se nuk kanë pasur probleme.

Kritika ndaj vendimit të MAShT-it
Mes kritikuesve ndaj vendimit të MAShT-it ka qenë deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj e cila ka akuzuar qeverinë Kurti për vonesa në vendimmarrje kur është në pyetje interesi qytetarë.
Lidhur me opsionin e subvencionimit, Kadrijaj ka konsideruar se kjo rëndon buxhetin familjar të prindërve që kanë më shumë se një fëmijë.
Nga ana tjetër, kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci do të duhej të kërkonte falje te prindërit dhe mësimdhënësit pas situatës së krijuar me librat shkollorë.
Në një prononcim për “Telegrafi”, ai ka deklaruar se ky është komplikim i radhës, duke folur edhe për problemet në “E-Kosovo” për aplikim.
“Ky është një komplikim i radhës dhe unë po them që MASHTI lë të bëj çfarë të dojë, pasi Nagavci në takimin e dytë më mediat është dashur të kërkoj falje prindërve dhe mësimdhënësve për gjërat që kanë ndodhur me tekstet shkollore. Tash e kemi një komplikim në e-Kosova për rimbursim të teksteve shkollore. Kjo po krijon telashe ngase siç e lexova nga mediat, pasi me MASHTI-in nuk kemi ndonjë komunikim për shkak të qëndrimeve të Nagavcit, se ajo mendon që vet duhet të bëj gjithçka për arsimin e kjo po i del gabim.” – citohet të ketë thënë ai.
Ai ka përmendur edhe vërejtjet e prindërve që nuk patën mundësi të aplikojnë për shkak të moshës së fëmijëve.
“Kishte vërejtje të prindërve që fëmijët e tyre në gjysmën e shtatorit do t’i bëjnë vitet për tu regjistruar në klasën e parë dhe ata nuk kanë mundësi të aplikojnë, pastaj nuk janë 100 ose 200, por janë mbi 100 mijë prindër që duhet të aplikojnë për këtë rimbursim.” – tha ai.