“Vendim brutal, anarki”: Qysh u kritikua pezullimi i sërishëm i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës nga ARBK-ja? - NACIONALE

“Vendim brutal, anarki”: Qysh u kritikua pezullimi i sërishëm i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës nga ARBK-ja?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një vendim absolutisht i çuditshëm është marrë sot nga ARBK-ja. Ky institucion ka vendosur të shfuqizojë vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, një ditë pasi vendosi t’ia rikthej këtë certifikat biznesit medial. Një veprim i tillë, është kritikuar gjerësisht nga politikanë, juristë e analistë të ndryshëm. Çka ndodhi dhe çka u tha?

Gjatë ditës, Klan Kosova raportoi se i është pezulluar përsëri ceritifikata e biznesit nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Sipas raportimit, vendimi i ri i ARBK-së anulon vendimin e një dite më parë që shfuqizonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Klan Kosova raportoi se në vendim theksohet që u.d. e drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën “rrethana të konfliktit të interesit” meqë një avokat që punon në Klan Kosova është “familjar i saj”. Në këtë artikull, Klan Kosova sqaronte se Prestreshi është shkarkuar nga kjo pozitë.

“Sipas informatave nga media tjera, znj. Prestreshi është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar znj. Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.” – raportoi Klan Kosova.

Reagimet…

Ndër të parët që reagoi ishte Adriatik Kelmendi, ish-drejtor i Klan Kosovës, i cili theksoi se pushtetarët aktual “nuk do t’ia dalin”.

“Ata e kanë fuqinë e pushtetit, Ne e kemi pushtetin e fjalës! Ata i kanë motrat e vëllezërit për të imponuar, Ne i kemi mikrofonët për të informuar! Nuk do t’i lëmë, Nuk do t’ia dalin.”” – ka shkruar ai.

Për këtë vendim të çuditshëm ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e cila u shpreh e shqetësuar me vendimin e ri të ARBK-së.

“AGK-ja, rikthekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga Kryeministri Kurti për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe joserioz, dhe do të dëmtojë më tutje ambientin medial në Kosovë.” – shkruhej në reagimin e AGK-së.

Ndërsa juristi Ehat Miftaraj, që drejton Institutin për Drejtësi të Kosovës, e akuzoi pushtetin për shkarkimin e Prestreshit nga pozita ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së ARBK-së, të cilin shkarkim e ka cilësuar si “arbitrar”. Tutja, ai shkroi kritika edhe për vendimin e marrë që të pezullohej sërish certifikata e Klan Kosovës.

“Shkarkohet një grua afër pensionimit në mënyrë arbirtrare. Caktohet motra e deputetit në pozitë dhe anulon një vendim të ligjshëm dhe vendos padrejtësi me një vendim tjetër. Anarki, pasiguri juridike, padrejtësi në emër të ligjit” – shkroi ai.

Ndërsa analisti i njohur Halil Matoshi e cilësoi si vendim brutal e të egër.

“Vendim brutal, i egër. Nuk e di nëse mund të ndodhë më as në vende si Kuba dhe Venezuela, që brenda 48 orësh të merret vendimi për pezullim dhe sërish të mbetet në fuqi pa asnjë bazë ligjore.” – u shpreh Matoshi në Info Magazine, transmeton Klan Kosova.

Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së, e kritikoi ashpër vendimin e ARBK-së.

“Fjala e lirë do të përballet me luftë speciale, me presion e me arbitraritet. Shkelja përmirësuar, u shfuqizua me një shkelje të re, edhe më skandaloze. Po na e provojnë e vërtetojnë çfarë kemi ditur -se pushtetet si ky funksionojnë me vendime ekzekutive që i suspendojnë ligjet. Vendimi i sotëm është marrëzia e një lufte që pushteti ka për ta humbur.” – vlerësoi ai.

Lajme të ngjashme