Vendi i 27 që blen dronë nga Turqia, Shqipëria edhe zyrtarisht bëhet me tre të tillë - NACIONALE

Vendi i 27 që blen dronë nga Turqia, Shqipëria edhe zyrtarisht bëhet me tre të tillë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shqipëria ka nënshkruar sot marrëveshje me kompaninë turke “Baykar Technologies” për blerjen e flotës së dronëve “Bayraktar”, ku si fillim vendi do të pranojë tre dronët e parë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se këta dronë janë të nevojshëm jo vetëm në kohë lufte, por edhe në paqe për të monitoruar territorin.

“Tre dronët që do të vijnë së pari, do të jenë të armatosur dhe do të jenë të gatshëm për çdo rast, ku dhe kur dhe shpresoj të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë fort të sigurta, kur pra dhe ku siguria jonë kombëtare të jenë nën kërcenim, në këtë rast do të jemi gati për luftë”, është shprehur Rama, i cili ka shtuar se flota e dronëve do të ketë edhe disa funksione të tjera.

“Dronët do të na ndihmojnë që të monitorojmë trafikun, do të na ndihmojnë për të ndjekur personat e kërkuar, pra do t’i shërbejnë dhe policisë dhe për të monitoruar tërësisht territorin dhe të arrijnë kapacitet të fjalës së fundit për të luftuar kultivimin e narkotikëve në terren, për të monitoruar zjarret dhe pyjet. Nga lufta kundër ndërtimeve të paligjshme, gjithashtu dhe shfrytëzimit të pronave”, ka thënë ai, ndërkohë qëka falenderuar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për realizimin e marrëveshjes.

Ndërkohë, CEO i firmës ‘Baykar Technology’, Lutfu Haluk Bayraktar, ka thënë se përveç shitjes së dronëve, marrëveshja përfshinë edhe trajnimin e punonjësve.

Por, çfarë janë dronët “Bayraktar”

Bayraktar TB2 është një avion pa pilot, i aftë për operacione fluturimi të kontrolluara nga distanca ose autonome. Këta avionë monitorohen dhe kontrollohen nga një ekuipazh ajror në një stacion kontrolli tokësor.

Baykar Technologies, është kontraktori privat i mbrojtjes turke që ka shpikur dronin Bayraktar TB2 në vitin 2014 dhe deri më tani ka prodhuar dhe shpërndarë të paktën 300 prej tyre.

Bayraktar po ashtu është përdorur me një efekt shkatërrues kundër armatimit rus për të ndalur avancimin e pushtimit të Ukrainës, duke i sjellë Turqisë mirënjohje nga presidenti ukrainas Zelensky, ankesa të herëpashershme nga Moska dhe lëvdata të rralla nga partnerët perëndimorë në një kohë kur marrëdhëniet midis Ankarasë dhe aleatëve të saj në NATO janë të tensionuara.

Kompania krijuese e këtyre dronëve, është themeluar nga i ndjeri Ozdemir Bayraktar, një ish lojtar i njohur në Turqi. Ndërsa tani, drejtori i përgjithshëm i kompanisë është, Haluk Bayraktar, i cili kryeson edhe bordin e lobit kryesor të mbrojtjes së Turqisë.

Të udhëhequr nga industria e armëve të Turqisë, dronët Bayraktar janë duke ndryshuar rrjedhen e luftërave në mbarë botën.

Lajme të ngjashme