“Vendi është katandisur si mos më keq”: Edhe raporti i Bankës Botërore e përplas VV-në me LDK-në - NACIONALE

“Vendi është katandisur si mos më keq”: Edhe raporti i Bankës Botërore e përplas VV-në me LDK-në

1 vit më parë

nga NACIONALE

Raporti i fundit i Bankës Botërore, i titulluar “Ruajtja e ritmit të rritjes”, ka sjellë përplasje politike në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Palët janë përplasur rreth interpretimeve mbi gjetjet e raportit të Bankës Botërore. Më saktë, VV-ja dhe PDK-ja kanë pasur qëndrime të ndryshme rreth gjetjes së BB-së se vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.

Menjëherë pas publikimit të raportit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) reagoi publikisht. Në një shkrim në faqen e tyre në Facebook, LDK-ja vlerësoi se raporti i Bankës Botërore është alarmues, pasi e radhiti Kosovën “në vendin e fundit në Ballkan, me numrin më të madh të të papunëve”.

Tutje, LDK-ja tha se raporti i rikonfirmon qëndrimet e partisë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.

“Ky raport është ri-konfirmim i asaj që ne si LDK e kemi potencuar vazhdimisht. Kjo Qeveri nuk ka plan për zhvillim ekonomik; por ka vetëm propagandë dhe keqqeverisje. Si rezultat i mungesës së vizionit dhe projekteve zhvillimore të kësaj qeverie, të rinjtë tonë po e braktisin vendin dhe largohen nga Kosova” – shkroi LDK-ja, ndër të tjera, transmeton Nacionale.

Në të njejtën linjë argumentimi ishte edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila vlerësoi se Kosova është katandisur si mos më keq.

“Po, po kështu kanë thënë se ''papunësia në Kosova në mandatin e tyre është 4%''.

Por përballë propagandës së kryeministrit dhe ministrave të tij të dështuar realiteti është i zëshëm, sepse këtë realitet e jetojmë ne, këtë realitet nuk po e jetojnë vetëm ata që i ngritën pagën vetës me rreth 45% në fillim të mandatit” – ka shkruar Bajrami, ndër të tjera, transmeton Nacionale.

I menjëhershëm ishte reagimi i Hekuran Muratit, ministër i Financave. Në shkrimin e tij, Murati hodhi poshtë interpretimin e LDK-së.

“Raporti i Bankës Botërore, siç edhe mund të shihet në tabelën më poshtë, e thotë që papunësia në Kosovë në fund të vitit 2023 është 10.9%.

Shifra që disa media po i referohen në atë raport, ka të bëjë me pjesëmarrjen e popullsisë aktive në tregun e punës, pra tregues tjetër prej atij të papunësisë.

Kushdo që e ka lexuar së paku një libër për këtë temë, din ta bëjë dallimin në mes të shkallës së papunësisë dhe shkallës së pjesëmarrjes së popullsisë aktive në tregun e punës” – shkroi dje Murati, të cilin shkrim zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka e shpërndau, duke e cilësuar si “demant”, shkruan Nacionale.

Këtë shkrim të Muratit e shpërndau deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci. Megjithatë, Bajqinovci nuk u mundua të ofronte fare interpretimin e tij, duke mos shtuar asnjë fjalë mbi raportin, por zgjodhi të sulmonte Bajramin e LDK-së.

“Edhe sa herë herë duhet të nxinët ‘mat’ duke manipuluar Hykmete Bajrami që mos të mirret më seriozisht?!” – ka shkruar Bajqinovci, transmeton Nacionale.

Në raportin e saj, Banka Botërore dha një statistikë të zymtë rreth pjesëmarrjes së personave të aftë për punë në tregun e punës.

“Në Kosovë, përkundër përparimeve të fundit, vetëm 37.1 për qind e popullsisë në moshë pune është e punësuar…Raporti më i ulët i popullsisë që merr pjesë në tregun e punës vërehet në Kosovë, vetëm 42.7 për qind.” – thuhet në raport, ndër të tjera.

Lajme të ngjashme