Veç shtëpia gati një milion euro: Pasuria përrallore e Luan Dalipit, shefit të kabinetit të Kurtit - NACIONALE

Veç shtëpia gati një milion euro: Pasuria përrallore e Luan Dalipit, shefit të kabinetit të Kurtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale pak më parë ka publikuar një abuzim të radhës të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Gazetari Berat Buzhala ka treguar se si kompania e vëllait të Luan Dalipit, shefit të Kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, ka fituar një tender prej 67 mijë eurosh nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës.

Por cila është pasuria e Luan Dalipit, që është dora e djathtë e Kurtit?

Sipas formularit të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Luan Dalipi është goxha i pasur. Në fakt, ai është milioner.

Veç një shtëpi që shefi i stafit të kryeministrit e ka në pronësi të përbashkët, kushton gati një million euro, pra rreth 950 mijë euro.

Ai kishte deklaruar se e ka edhe një banesë që kushton 110 mijë euro, një depo që kap vlerën e gjashtë mijë euro dhe një garazh e cila i kushton tre mijë e 200 euro.

Dalipi e posedon edhe një veturë të tipit Mercedes Benz e cila kushton 35 mijë euro. Po ashtu, ka deklaruar edhe një veturë tjetër për të cilën thotë se është në pronësi të bashkëshortes, dhe e cila kushton mbi tetë mijë euro.

Po ashtu, rreth gjashtë mijë e 300 euro, Dalipi i mban si para të gatshme në një bankë në Kosovë. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka kursime rreth 57 mijë euro.

Në fund, Dalipi ka treguar se ka marrë rreth dy mijë e 600 euro meditje për një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai po ashtu, ka deklaruar si të hyra vjetore nga puna e tij në Zyrën e Kryeministrit rreth 15 mijë euro.

Bashkëshortja e tij, ka marrë pagë vjetore fillimisht 18 mijë euro në një klinikë, më pas në disa të tjera rreth 24 mijë euro.

Lajme të ngjashme