Njëri prona milionëshe, tjetri gati 300 mijë euro e dollarë në bankë: Pasuria e shefave në presidencë e kryeministri
Të dy punojnë në institucionet më të rëndësishme të vendit. Njëri punon në Presidencë, tjetri në Zyrën e Kryeministrit, e përbashkëta përveç pozitës si shefa të stafit– të dy janë të pasur. Çka deklaruan këtë vit Blerim Vela e Luan Dalipi në Agjencinë Kundër Korrupsion?
Agjencia Kundër Korrupsion ka publikuar formularët me deklarimin e pasurisë të zyrtarëve publikë për vitin 2022.
Në mesin e zyrtarëve që deklaruan pasurinë janë edhe Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani dhe Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti.
Blerim Vela
Në formularin e tij si pasuri të paluajtshme, Blerim Vela ka deklaruar një tokë e cila arrin vlerën e 36 mijë eurove.
Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar një veturë të tipit Renault, e cila kushton 38 mijë euro, si dhe një tjetër veturë Toyota në pronësi të bashkëshortes, e cila kushton rreth 15 mijë euro.
Para të gatshme – ky është seksioni të cilin Vela e ka mbushur më së shumti. Ai ka treguar se i ka të ruajtura në një prej bankave në Kosovë mbi 118 mijë euro, gati 165 mijë dollarë dhe 966 funta.
Vela ka treguar po ashtu se bashkëshortja e tij i ka të kursyera 19 mijë euro, dhe se 16 mijë euro të tjera i kanë para të gatshme në Britani të Madhe, këto në pronësi të fëmijëve.
Shefi i stafit të presidentes Osmani ka deklaruar si të hyra vjetore 23 mijë e 256 euro pagë nga presidenca dhe mbi gjashtë mijë euro mëditje.
Bashkëshortja e tij, duket se mban dy puna ku në Ambasadën Amerikane merr pagë vjetore rreth 26 mijë e 400 euro dhe në një kolegj privat, rreth tre mijë e 420 euro.
Në fund, Vela ka treguar një të dhënë tjetër, duke u shprehur si vijon: “Gjatë vitit 2022 kam banuar me familje në banesë me qira”.
Luan Dalipi
Veç një shtëpi që shefi i stafit të kryeministrit e ka në pronësi të përbashkët, kushton gati një million euro, pra rreth 950 mijë euro.
Ai ka deklaruar se e ka edhe një banesë që kushton 110 mijë euro, një depo që kap vlerën e gjashtë mijë euro dhe një garazh e cila i kushton tre mijë e 200 euro.
Dalipi ka treguar se posedon një veturë të tipit Mercedes Benz e cila kushton 35 mijë euro. Po ashtu, ka deklaruar edhe një veturë tjetër për të cilën thotë se është në pronësi të bashkëshortes, dhe e cila kushton mbi tetë mijë euro.
Po ashtu, rreth gjashtë mijë e 300 euro, Dalipi i mban si para të gatshme në një bankë në Kosovë. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka kursime rreth 57 mijë euro.
Në fund, Dalipi ka treguar se ka marrë rreth dy mijë e 600 euro meditje për një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai po ashtu, ka deklaruar si të hyra vjetore nga puna e tij në Zyrën e Kryeministrit rreth 15 mijë euro.
Bashkëshortja e tij, ka marrë pagë vjetore fillimisht 18 mijë euro në një klinikë, më pas në disa të tjera rreth 24 mijë euro.