Veç Mali i Zi më keq, Kosova e parafundit: Shënohet rënie në indeksin e lirive ekonomike
"Paqëndrueshmëria politike, korrupsioni, furnizimi jo i rregullt me energji elektrike, ekonomia e madhe informale dhe sundimi i dobët i ligjit" – janë disa nga problemet kryesore me të cilat karakterizohet ekonomia e Kosovës. Kësisoj, për shkak të këtyre probleme, ekonomia e Kosovës ka shënuar rënie nga viti i kaluar për liri ekonomike sipas raportit të organizatës “Heritage Foundation”. E për Odën Ekonomike Amerikane, kjo rënie është shqetësuese ndërsa për deputetën e LDK-së, është regres i bërë nga Qeveria Kurti.
Ekonomia e Kosovës konsiderohet “mesatarisht e lirë” sipas Indeksit të vitit 2024. Kosova në vitin 2024 është renditur në vendin e 37 nga gjithsej 44 vende evropiane.
Rezultati i lirisë ekonomike i Kosovës është 60.6 pikë për dallim nga viti 2017 që ishte 67.9 pikë, apo me rënie prej 0.1 pikë nga viti 2023 që ishte 60.7 pikë.
Kjo rënie e lirive ekonomike ka shqetësuar Odën Ekonomike Amerikane.
Oda Ekonomikë Amerikan është shprehur e shqetësuar më ndikimin e pushteti në ekonomi, duke nënvizuar disa ndërhyrje politike, si sulmet verbale ndaj institucioneve të drejtësisë, punës së Gjykatës Komerciale, masat ndëshkimore ndaj disa përmbaruesve privatë, ndalimin e importeve nga Serbia e të tjera.
Në një komunikatë të lëshuar nga Oda amerikane, ishte theksuar rënia e Kosovë në indeksin e lirive ekonomike si shkak i ndërhyrjeve të Qeverisë.
“Oda Amerikane thekson edhe renditjen shqetësuese të Kosovës në Indeksin e Lirive Ekonomike të organizatës Heritage Foundation në tri vitet e fundit, si vend me liri mesatare ekonomike, respektivisht i 37-ti në mesin e 44 shteteve të Evropës, me 60.6 pikë në vitin 2024 kundrejt 67.9 në vitin 2017.” – thuhet në komunikatën e tyre të lëshuar më 18 korrik.
Në anën tjetër edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria Kurti ka bërë edhe një regres tjetër sa i përket aspektit ekonomik të Kosovës.
Bajrami ka theksuar se Kosova ka pësuar rënie në indeksin e lirive ekonomike, nga 67.4 pikë që kishte më 2020 tani në vitin 2024 ka vetëm 60.6 pikë.
Ajo ka përmendur disa arsyet që kanë çuar në rënien e lirive ekonomike.
“Një tjetër regres i Qeverisë Kurti. Sipas raportit të “Heritage Foundation” të publikuar me 17 korrik, 2024 Kosova në indeksin e lirive ekonomike shënon vetëm 60.6 pikë, derisa në vitin 2020 Kosova shënonte 67.4 pikë. Se keq-qeverisja përkthet në indekse të përkeqësuara nuk kemi pasur asnjë dyshim. Korrupsioni endemik, mungesa e reformave fiskale e strukurore, kapja e dhe politizimi i secilit institucion rregollator, tentimi i ndërhyrjes në ekonomi përmes ligjeve antikushtetuese, natyrisht se lënë gjurmë në liritë ekonomike.” – ka shkruar ajo.
Më tej, Bajrami ka cituar raportin nga organizata “Heritage Foundation” në të cilën është përmendur korrupsion, furnizimi i pasigurt me energji elektrike, ekonomia informale e të tjera çështje.
“Në raportin e publikuar për liritë ekonomike nga organizata “Heritage Foundation”, ndër të tjera thuhet: “Pavarësisht normave pozitive të rritjes, ekonomia karakterizohet nga paqëndrueshmëria politike, korrupsioni, furnizim i pasigurt me energji, ekonomi e madhe informale dhe me një sundim të ligjit të dobët. Kosova ka zbatuar reforma miqësore për biznesin, por korniza e përgjithshme rregullatore mbetet e rëndë. Aktiviteti i tregut informal mbetet i konsiderueshëm. Tregu formal i punës nuk është zhvilluar plotësisht. Stabiliteti monetar është dobësuar dhe normat e fundit të inflacionit janë rritur me më shumë se 7 përqind”.” – ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ku qëndron rajoni?
Sa i përket rajonit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është në pozitën më të mirë, ndërsa më keq qëndron Mali i Zi.
Këto janë rezultatet e indeksit të lirive ekonomike:
Shqipëria ka 64.8 pikë dhe është në vendin e 27 nga 44 vende.
Serbia me 62.7 pikë në vendin 31 nga 44 vende e rajonit të Evropës.
Ndërsa, Bosnja dhe Hercegovina janë renditur në vendin e 33 nga 44 vende, me 62 pikë.
Maqedonia Veriore është renditur në pozitën e 35 nga 44 vende me rezultat prej 61.4 pikë.
Shumë keq qëndron Mali i Zi. Ekonomia e këtij shteti konsiderohet “kryesisht jo e lirë”. Mali i Zi është në vendin e 39 nga 44 vende me 59.7 pikë.