Vdes akademik Shyqri Nimani, shkruesi i Deklaratës së Pavarësisë
Ka ndërruar jetë akademiku Shyqri Nimani, i cili kishte shkruar edhe deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kjo është bërë e ditur nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
“Shkronjat e tij të arta mund t’i gjeni edhe në Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë, në të cilën punoi 16 orë të tëra për ta përfunduar.” – ka thënë Konjufca, derisa foli për veprën e Nimanit.
Ai ka shprehur ngushëllime për familjen, dhe ka thënë se “do të jemi gjithmonë mirënjohës për veprën e tij”, ndërsa Kuvendi e mbajti një minutë heshtje.
Ndërkaq, familja Nimani ka bërë të ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në orën 17:00 në varrezat e Prishtinës.
“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të më të dashurit tonë, profesorit dhe artistit kombëtar Shyqri Nimani.” – ka shkruar familja Nimani.