Vdekja e Agon Zejnullahut, Avokati i Popullit nis hetimet - NACIONALE

Vdekja e Agon Zejnullahut, Avokati i Popullit nis hetimet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Avokati i Popullit ka nisur një procedurë hetimore për të vlerësuar nëse janë shkelur të drejtat e njeriut në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili vdiq të hënën në Lipjan, pak pasi ishte arrestuar nga policia.

Në një deklaratë të publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook, ky institucion ka theksuar se përdorimi i forcës përtej masës së nevojshme përbën një shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Policia ka për detyrë të mbrojë qytetarët dhe të ruajë rendin publik, gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i kompetencave ligjore, si dhe çdo formë dhune apo keqtrajtimi, është e papranueshme dhe duhet të trajtohet me përgjegjësi të plotë,” – thuhet në reagim.

Hetimi është iniciuar zyrtarisht për të shqyrtuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Gjithashtu, është kërkuar transparencë e plotë nga ana e institucioneve përkatëse.

Lajme të ngjashme