Vazhdon drama e Aeroportit, Pacolli: Mbrëmë e takova Çim Pekën, por nuk e kemi përmendur Edi Ramën - NACIONALE

Vazhdon drama e Aeroportit, Pacolli: Mbrëmë e takova Çim Pekën, por nuk e kemi përmendur Edi Ramën

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish në lidhje me raportimet për pezullimin e vendimeve të “Vlora International Airport – VIA”, nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës dhe takimit të fundit me gazetarin nga Shqipëria, Çim Peka. Në një reagim në Facebook, Pacolli tha se vizita e Pekës në shtëpinë e tij ishte “një vizitë miqësore” dhe “kurrsesi në rolin e gazetarit apo drejtuesit të ndonjë media.”

Peka postoi dje një fotografi nga shtëpia e Pacollit duke shkruar:

“E kam kontestuar politikisht gjithmone, por pas sulmit te kordinuar ndaj pronave te tij prej mediave te Rames dhe Belindes, ja msyna ne konak. Harrojeni inceneratorin, ajo qe po ndodh ne aeroportin e Vlores eshte “NETFLIX”. Rrini te vemendshem, do degjohemi!”

Ai tha se me Pekën kanë folur për atë që ai e quan “fushatë denigruese” ndaj tij, si dhe për ecurinë e punimeve dhe financimin e aeroportit të Vlorës, financim i cili, sipas tij, “është realizuar 100% me kolateralet e mia personale dhe me asetet e kompanisë sime; financim që, fatkeqësisht disa media, shpresoj nga padija,i kanë dhënë interpretime absurde.”

Reagimi i plotë i Pacollit:

Sot pashë një postim nga Çim Peka.

Për të shmangur çdo lloj spekulimi të mundshëm, biseda me Çim Peken në shtepinë time, përkufizohët në këto përmbajtje;

Çimi është një mik i imi i vjetër. Me të kam pasur komunikim dhe respekt të ndërsjellë — jemi takuar disa herë dhe më ka vizituar, ashtu si çdo mysafir tjetër. Edhe mbrëm, Cimi ishte mysafir, por kurrsesi në rolin e gazetarit apo drejtuesit të ndonjë media; ishte thjesht një vizitë miqësore, ashtu si e do tradita.

Natyrisht, biseda mes miqve është e pashmangshme dhe folëm për shumë tema, përfshirë edhe fushatën denigruese, të mirë të orkestruar kundër meje, dhe për zanafillën e saj. Diskutuam edhe për aeroportin, përfshirë dhe per kontratën e kredisë për financimin ndër të tjera të punimeve të papërfunduara në aeroportin e Vlorës, financim i cili është realizuar 100% me kolateralet e mia personale dhe me asetet e kompanisë sime; financim që, fatkeqësisht disa media, shpresoj nga padija,i kanë dhënë interpretime absurde.

Me z. Peka folëm dhe për shumë gjëra të tjera, por ndonëse fushata e ndërmarrë nga disa dashakeq bukëshkalë me “modus operandi” te tyre, patjetër mund të klasifikohet si histori filmash serial te Netflix-it.

Gjatë këtyre ditëve, kompania ime – në cilësinë e nënshkruesës dhe mbajtëses e 98% të aksioneve dhe përgjegjësive ligjore – do t’i paraqesë koncesionarit një raport mbi ecurinë e punimeve, problematikat e hasura, si dhe modalitetet e nevojshme për përgatitjen e aeroportit për vënien në funksion në Shkurt të vitit të ardheshëm ashtu si e parashef kontrata.” – shkroi Pacolli ne reagim.

2A Group e Ademit kërkon të njihet si 47 për qind aksioner duke pasur në dorë kontratën por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor i konsorciumit që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve.

Kontekst:

Çështja e Aeroportit të Vlorës është kthyer në një luftë të madhe. Betejë publike e ligjore. Të përfshirë janë Behgjet Pacolli e Valon Ademi. Të dy së fundmi kanë reaguar publikisht rreth kësaj situate.

Mediat në Shqipëri raportuan se është pezulluar projekti, dhe se Behgjet Pacolli është nën hetime.

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e paraqitur dhe ka marrë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025, raportoi Gazeta Tema.

Gjithashtu, në bazë të vendimit që gazeta 'TemA' e disponon, pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.

Prokuroria e Tiranës ndërkohë ka nisur një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës.

Lajme të ngjashme