Vazhdon dialogu në Bruksel, nuk dihet a do të ketë takim trepalësh
Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit. Kjo me synimi për ta vazhduar dialogun i cili ka mbetur pezull tash e sa kohë.
Lajmin e bëri të ditur mbrëmë vonë Qeveria e Kosovës.
“Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit. Atje, ditën e nesërme, ai do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut”, thuhet në komunikatë.
Në anën tjetër, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, bëri të ditur se në mesin e temave, do të jetë edhe Marrëveshja e Ohrit.
“Mund të konfirmoj se takimi i radhës në nivelin e kryenegociatorëve do të jetë nesër në Bruksel. Rendi i ditës është mjaft i qartë. Është rruga përpara në zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord. Dhe sigurisht, diskutimi për çështjet që po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha dje Stano.
Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia do e fillojnë ditën me takimet e ndara ma emisarin evropian për dialog Miroslav Lajçak i cili më pas do synojë organizimin e takimit trilateral.
Ndryshe Bashkimi Evropian ka mirëpritur thirrjen e bërë nga ana e presidentit serb Aleksandër Vuçiq që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe re integrimin e tyre në të gjitha institucionet e vendit.
Peter Stano zëdhënës i BE-së ka nënvizuar se Brukseli vazhdimisht ka ftuar Beogradin që të inkurajoj këtë gjë, ndërsa Prishtinën që të mundësoj re integrimin e serbëve të Kosovës.
BE gjithashtu përsëriti thirrjen e vazhdueshme për de-përshkallëzim si dhe për implementim të plotë dhe të menjëhershëm të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu nga të dyja palët.
Megjithatë, ajo që nuk dihet është nëse do të ketë takim trepalësh mes Bislimit, Petkoviqit e Lajçak.
Ishte agjencia e lajmeve në Serbi, Tanjug, e cila kishte pretenduar se Kosova e ka refuzuar takimin trepalësh.
Por, zv/kryeministri Bislimi reagoi menjëherë duke e mohuar, dhe duke thënë se Serbia e ka refuzuar një takim të tillë.
Ai sqaron se në raundin e radhës më 17 shtator në Bruksel, Kosova ka pranuar takimin trilateral, sipas agjendës së përcaktuar nga ndërmjetësuesi.
“Fatkeqësisht, Serbia refuzoi një takim të tillë duke u përpjekur të imponojë çështje në agjendë që janë kryesisht për konsum politik të brendshëm”, shkruan teBislimi në rrjetin social X.
Ai e ftoi ndërmjetësuesin europian, Miroslav Lajçak që të reagojë dhe mohojë këtë dezinformim të qëllimshëm nga mediat serbe, që raporton në mënyrë të rreme se Kosova refuzoi takimin trilateral.