Vazhdon beteja: U.D. Presidentja Haxhiu i vë faj ish-Presidentes Osmani për faqet në Facebook e KQZ-në
U.D Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ushtron detyrën e të parës së vendit, pasi mandatin e plotë aty e përfundoi Presidentja, Vjosa Osmani, duket se me këtë të fundit ka hapur betejë në disa fronte. Haxhiu në konferencë për media, ka kritikuar ish-Presidenten Osmani, në disa prej pyetjeve që asaj iu drejtuan nga gazetarët. Me pak fjalë, sipas Haxhiut, Presidentja Osmani, gaboi që e la “pengë” vendosjen e një anëtari të KQZ-së; ajo nuk respekton institucionet pasi faqet e Facebookut nuk ia ka lënë institucionit etj.
Së pari, Haxhiu u pyet në lidhje me anëtarin e KQZ-së, i cili nuk është emëruar ende. Sipas saj, Osmani nuk e kreu detyrën e saj. Haxhiu nuk tregoi se si do të veproj saktësisht në këtë situatë.
“Jam duke i trajtuar çështjet me prioritet, mendoj se një process kushtetues që ka filluar më herët është dashur të përmbyllet me Vjosa Osmanin. Nuk është në rregull që ka mbetur e papërfunduar. Unë jam njoftuar me çështjet prioritare, që duhet t’i trajtojmë. Sapo të kemi një analizë, do të veprojmë me kohë.” – tha ajo.
Në lidhje me debatin mbi faqet e Facebookut, Haxhiu fillimisht u shpreh se qasja e ish-Presidentes është gabim, sepse faqet janë pronë e institucionit.
“Më vjen shumë keq, më vjen sinqerisht keq për debatet që janë zhvilluar në këtë drejtim, por iu them që ne nuk kemi kontribuar që debati të shkojë sikur ka shkuar. Është gabim për sa kohë faqet zyrtare janë pronë e institucionit jo e individit.“
Ndërkohë, ajo ka treguar se ka hapur faqe të reja në Facebook për komunikim.
Me qëllim që t’i njoftojmë qytetarët, jemi detyruar të hapim faqe të tjera. Dikujt iu ka dukur teknike, dikush e ka trajtuar që nuk ka vend për diskutim, e kam për obligim të kem transparencë, dhe që qytetarët të njoftohen me të gjitha aktivitetet.
Faqet duhet të mbeten trashëgimi e institucionit, duhet të respektojmë institucionet.” – tha ajo.
U.D Presidentja, foli edhe në cilësinë e Kryetarës së Kuvendit. Ajo tha se është e hapur për diskutime në lidhje me zgjedhjen e presidentit, tamam. Por, se sipas saj duhet të lihen anash dallimet.
“Si kryetare e Kuvendit jam e hapur në cilësinë e kryetares, nëse grupet parlamentare që mund të kontribuojmë me takime e diskutime, t’i pres e të diskutojmë për situatën aktuale.
Mirëpres vazhdimin e takimeve që kanë ndodhur, urojmë që t’i lëmë anash të gjitha dallimet e të jemi bashkë, që ta gjejmë një zgjidhje për presidentin.
Uroj që mos të vie situata që U.D president të shpall datën e zgjedhjeve. Sipas aktgjykimit, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë nëse nuk zgjedhim presidentin, uroj që të mos duhem të caktojë datën e zgjedhjeve.” – tha Haxhiu
Ndërkohë, sa i përket ratifikimit të marrëveshjes për Bordin e Paqes, ajo tha se pret që ky proces të kryhet shpejt, dhe pa kundërshtime.