Vazhdon barrikadimi i Kuvendit me Haxhiun: Kurti nuk arrin të bindë asnjë deputet nga partitë e tjera
As përpjekja e 23-të i deputetëve për konstituimin e Kuvendit nuk ka rezultuar e suksesshme. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.
Propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë nuk ka kaluar serish.
Kjo pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk po marrin pjesë në këtë votim, duke vlerësuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Për formimin e këtij komisioni sot kanë votuar vetëm 55 deputetë, kudër ka qenë 1 deputet, kurse abstenim nuk ka pasur.
Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të shtunën në orën 10:30.
VV-ja nuk po e ndryshon kandidaten për kryetare të Kuvendit edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.
Ditëve të fundit është raportuar se partia e Albin Kurtit ka intensifikuar përpjekjet për t`i siguruar disa deputëtë nga partitë tjera për formimin e institucioneve të reja.
Kjo po bëhet duke i joshur ata me pozita ekzekutive dhe favore tjera.
Një gjë të tillë dje e ka konfirmuar edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni.
Në emisionin DPT të Fidani, ai ka bërë me dije se në këmbim të votës për kryeparlamentar dhe qeveri i është ofruar postin e Ministrit të Mbrojtjes.
“Kërkohet nga një qytetar i Kosovës në Britani të Madhe, nëpërmjet një bashkëluftëtari tim, një njeri shumë i afërt me mua që ta ketë një bashkëbisedim pa e specifikuar temën, cila është arsyeja. E pyes cila është fusha, profesioni e interesimi. Por më tha komandant nuk e di, e njoh i besoj dhe thjesht ka kërkuar të takohet, i ka ndihmuar Kosovës, është qytetar i ndershëm, është afarist. Me të vërtetë pranova, në takimin e parë më krijoi një pozitivitet”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Jo vetëm në bazë të përshkrimit edhe paraqitjes së tij dhe kultura e komunikimit, ishte në nivel. Gjatë bisedës qenka që të përafrohemi LDK dhe LVV, e dëgjova deri në momentin kur thotë se Z. Kurti ka shumë vlerësim të lartë për ty, edhe e ke të sigurt postin e ministrit të Mbrojtjes, aty nuk jam ndjerë mirë, mundem të them se jam ndjerë edhe i ofenduar”, ka thënë Quni.
Kurse, javën e kaluar deputetja Duda Balje ka konfirmuar informacionet që qarkullonin, se asaj i është ofruar të bëhet profesoreshë në Shkup, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun.
"Po është e vërtetë. Pata disa thirrje prej personave që nuk janë bash direkt të politikës, janë në shoqëri. Unë para disa vitesh kam apliku për profesoreshë në Maqedoni edhe kam plotësu krejt kushtet ama më nuk kam apliku. Ama tash më kanë thënë se ka mundësi me diskutu për vendin e punës si profesoreshë", ka thënë Balje.
Ndërsa, Albin Kurti ka bërë me dije se nuk heq dorë nga propozimi për ta bërë kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Albulena nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. Opozita po e bllokon shtetin”, ka thënë ai.