Vazhdojnë takimet e presidentes: Flet me drejtorin e AKI-së për situatën në sigurinë kombëtare
Në mesin e shumë takimeve këto ditë, pas zhvillimeve në veri të vendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur edhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Petrit Ajeti.
Në një njoftim për media nga Presidenca, bëhet e ditur Ajeti e ka njoftuar Osmanin për situatën aktuale të sigurisë kombëtare.
“Z. Ajeti ka njoftuar Presidenten Osmani për situatën aktuale të sigurisë kombëtare. Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e koordinimit të të gjitha institucioneve të sigurisë në vend për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës”, thuhet në njoftim.
Osmani më herët e takoi edhe kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ku folën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat në veri të vendit dhe zëvendësimin e deputetëve.
“Në këtë takim, Presidentja ka theksuar se janë duke u ndërmarrë hapat e nevojshëm për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Ajo tha se së shpejti subjektet politike do të ftohen për konsultime përpara se të caktohet data e zgjedhjeve, brenda afatit ligjor”, thuhet në njoftimin e presidencës.
